Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi për shkak të bllokimit të mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin lidhur me çështjen e Belinda Ballukut, ku SPAK kërkon heqjen e imunitetit të deputetes.
Përmes kallëzimit të depozituar në Prokurorinë e Posaçme, Grupi Parlamentar i PD, thekson se Niko Peleshi, ka refuzuar kërkesat e përsëritura të pesë anëtarëve të Këshillit, në mënyrë tërësisht arbitrare dhe të paligjshme, duke cenuar njëkohësisht të drejtën e ligjshme të deputetëve për të thirrur mbledhjen e Këshillit, dhe si rezultat i zvarritjeve të pajustifikuara edhe mbarëvajtjen e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.
‘Në këto kushte, është e qartë se shtetasi Niko Peleshi, me detyrë kryetar i Kuvendit, ka konsumuar katër elementët e anës objektive të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, duke refuzuar mbledhjen e Këshillit dhe njoftimin e rendit të ditës (mosveprimi), në kundërshtim me nenin 13, pika 6, të Rregullores së Kuvendit (në kundërshtim me ligjin), duke shfrytëzuar funksionin e tij si Kryetar i Kuvendit (funksioni publik), duke dëmtuar kështu të drejtën e deputetëve për mbledhjen e Këshillit dhe mbarëvajtjen e hetimeve penale (dëmtimi i interesave të shtetit dhe të shtetasve)’, thuhet në kallëzimin e PD depozituar në SPAK.









