Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë aktivitetit në Lezhë për 35-vjetorin e themelimit të degës së PD-së, analizoi sfidat dhe arritjet e opozitës shqiptare, duke e quajtur vendimin për mbështetje në vitin 2021 si “më të rëndësishmin” për demokratët.
Berisha e sulmoi ish-kryetarin e PD, Lulzim Bashën, duke e akuzuar se kishte tradhtuar besimin e demokratëve dhe kishte punuar për interesa të kundërta me ato të partisë. Sipas tij, opozita e vërtetë ishte një luftë që nuk përfshinte vetëm qeverinë, por edhe fuqitë ndërkombëtare, si Xhorxh Sorosi, që ndikuan në politikat e brendshme të Shqipërisë.
“Unë e them këtu, vendimi më i rëndësishëm i jetës tuaj dhe më i vështirë ishte vendimi për të mbështetur në vjeshtën e vitit 2021 Sali Berishën. Ishte vendimi për të dalë nga fasadë opozita në opozitë të vërtetë. Por kësaj here, betejën nuk e kishit vetëm me qeverinë shqiptare dhe misionarët e saj në PD. Beteja juaj ishte globale. Ishte me kreun e mafies botërore, që ishte Xhorxh Sorosi. Ky Karl Marksi i post-marksizmit, armik i egër i PD dhe vlerave demokratike. Por, edhe njëherë, ju u provuat të pamposhtur me zgjidhjet që bëtë. Ju zgjodhët idealet tuaja. Ju zgjodhët dinjitetin tuaj. Ju zgjodhët interesin kombëtar. Ju zgjodhët vokacionin perëndimor. Ju zgjodhët sovranitetin e vendit.”









