Çfarë përbën më shumë interes publik në emër të demokracisë dhe të taksapaguesve?
A është çështja se si u financua një kuvend i brendshëm partie si ai i PD-së para tre vjetësh, apo se si u financuan mitingjet dhe kuvendet e mazhorancës socialiste për fushata zgjedhore kombëtare?
Në vend që t’i tregojë dhëmbët një Belind Këlliçi, a s’duhej të interesohej drejtësia se kush pagoi për Ramën dhe shpurën e tij qeveritare në mitingjet që organizuan në Athinë apo Kretë, në Milano apo Londër?
Të gjithë ata kryebashkiakë dhe nëpunës të lartë civilë të pranishëm në ato evente elektorale me diasporën, kush ua pagoi udhëtimet dhe hotelet, pa përfshirë çmimet e sallave të marra me qira në vendet perëndimore?
A e ka shtruar ndonjëherë pyetjen drejtësia se kush ia financoi “kuvendet popullore” mazhorancës: PS-ja apo shteti? A ka skandal më të madh në një demokraci kur taksat e të gjithëve financojnë mbledhjen e votave për partinë në pushtet?
Në mes të Tiranës, duar “skllavërish” bashkiakë, të punësuar nga Bashkia e Tiranës, mbushën sheshin “Skënderbej” me mijëra karrige një pasdite shkurti 2025, në mënyrë që mijëra “skllavë” të tjerë bashkiakë të dëgjonin, ulur dhe kokëulur, numrin 1 të PS-së, Edi Ramën, që hapte fushatën e partisë së tij në mbrojtje të Erion Veliajt. Kush i pagoi ata punonjës për atë punë, sa ilegale aq edhe fyese? Nuk qe PS-ja. Ata shkuan me uniforma të paguara nga taksapaguesi i Tiranës.
Po ato dhjetëra duar të tjera të vogla “skllavërish” në Kryeministri që përgatisnin çdo mëngjes kushtet teknike që Kryeministri i PS-së të shfryhej “Sy më sy” ndaj “Bufit” të opozitës, kush i paguante? PS-ja apo Kryeministria?
Domethënë shteti, domethënë çdo shqiptar me taksat e tij. Këto janë katërcipërisht financime ilegale që, përtej dënimit të personave që i kanë lejuar, duhet të vënë në pikëpyetje edhe vetë rezultatin e zgjedhjeve.
Dhe filmi vazhdon ende pas zgjedhjeve me podcastet politike të Edi Ramës, ku ai bën propagandë për partinë e tij dhe shan opozitën. Kush i paguan mjetet teknike dhe stafin e këtyre podcasteve me përmbajtje partiake: partia e Ramës apo qeveria e gjithë shqiptarëve?
Drejtësi më cinike se kjo nuk mund të gjesh në Europën ku duam të futemi.
Drejtësi që hesht. Drejtësi alla shqiptare, e cila kërkon me lupë ndonjë qime financimi ilegal te syri i partive të opozitës, ku kurrsesi s’mund të gjesh burime shtetërore, por që nga ana tjetër është krejtësisht miope për traun në syrin e partisë-shtet.
Kur raporti i OSBE-ODIHR i bie kalit të mazhorancës duke denoncuar një garë thellësisht të pabarabartë në zgjedhje, me pasoja për demokracinë, drejtësia shqiptare merret me patkonjtë e opozitës për të gjetur nëse gara brenda gjirit të saj ka qenë financuar rregullisht.
“Drejtësia zgjedhore” europiane bën raporte për zgjedhjet e përgjithshme; drejtësia shqiptare ka si brengë kryesore zgjedhjet në PD.
O tempora, o mores, o Zot çfarë epoke, do të thoshte Ciceroni.
Por metafora që i shkon më shumë kësaj drejtësie, që muskujt i ruan për Belindin dhe jo për pushtetin, është ajo e fabulës së francezit të famshëm La Fontaine, në të cilën ujku, ngaqë s’ia mbante të merrej me luanin, thoshte plot trimëri se fajin e kishte qengji.
Me 5 vite burg u dënua Sarkozi nga drejtësia franceze për arsyen madhore se, kur ishte kryetar i mazhorancës së djathtë franceze në pushtet dhe fitoi zgjedhjet presidenciale, tentoi gjatë fushatës të merrte një financim ilegal nga Libia e Kadafit. U dënua rëndë Sarkozi vetëm sepse tentoi të merrte një financim ilegal, edhe pse në fund nuk u provua kurrë nëse shumat e përfolura i arkëtoi vërtet.
“Po ti ku i gjete paratë?” – ia bën pyetjen kjo drejtësi e jona tash e një vit dhe pa asnjë proces Ilir Metës. Se për çfarë parash bëhet fjalë dhe për çfarë janë përdorur ato, duhet të presim ndoshta edhe një vit tjetër burgimi pa proces për ta mësuar.
Në anën tjetër, në mënyrë sa publike aq edhe sfiduese, mësohet se Erion Veliaj paguan mbi 200 mijë dollarë për dy studio anglosaksone lobimi që ta promovojnë kauzën e tij në SHBA dhe Britaninë e Madhe. Çuditërisht, nervi i kureshtjes “nga vijnë paratë” edhe në këtë rast i mungon drejtësisë, që preferon të hetojë Belindin apo Metën.
Mësohet publikisht se ia paska paguar i vëllai lobimin Erionit.
Po vetë vëllai ku i gjeti fondet? Ai ka ndërmarrje, kjo dihet. Veçse, që kur nuk përbën vepër penale përdorimi i parave të ndërmarrjes nga shefi i saj për kauza që s’kanë lidhje me biznesin?
Ndoshta ka përdorur paratë personale, të fituara si dividentë. Goxha para megjithatë. 200 mijë dollarë që një individ i nxjerr si “para xhepi” për lobim – a s’e nxit kjo kureshtjen e drejtësisë për të hulumtuar nëse biznesi i vëllait të kryebashkiakut mund të ketë përfituar nga kontrata me bashkinë?
Shqipëria që negocion me BE-në për integrim supozohet të jetë shtet i së drejtës.
Të gjitha supozimet e mësipërme janë veçse dyshime, jo prova fajësie. Po pse dyshimet mbi origjinën e fondeve bien si rrufe vetëm mbi partitë e opozitës?
Pse akuzat se kryeministri ka përdorur VKM-të për të favorizuar rrethin e tij ranë mbi ish-kryeministrin Berisha sot në opozitë, dhe jo mbi kryeministrin në detyrë Edi Rama, për të cilin duhen dhjetë palë duar për të numëruar VKM-të që kanë përfunduar në korrupsion shtetëror të llahtarshëm?
Në 2021, pas zgjedhjeve legjislative, edhe ato të njollosura nga dyshime manipulimi nga patronazhistët e mazhorancës, drejtësia u vërsul te redaksia e një medie (lapsi).
U morën me forcë kompjuterët e gazetarëve me akuzën cinike se përmbanin të dhëna personale, ndërkohë që ishin pikërisht ata gazetarë që denonconin maskaradën me të dhënat e vjedhura nga zyrtarët e mazhorancës.
Ndërsa sot, kur Edi Rama po paguan me djersën e shqiptarëve 140 milionë euro për Emiratet e Bashkuara Arabe që, së bashku me qeverinë e tij, të vjedhin në mes të ditës të dhënat personale të shqiptarëve, drejtësia preferon të mbyllë sytë.
Bëhet fjalë për një krim kushtetues që cenon liritë individuale, sepse projekti arabo-shqiptar “Smart City”, me regjistrimet e tij, do të mbledhë të dhëna intime: nga vendndodhja e shtetasit gjatë ditës, minutat e qëndrimit, çfarë ka thënë aty, deri te retina e syrit. “Big Brother” hyn në jetën reale të çdo qytetari.
Drejtësia dixhitale franceze dha sot, në momentin që botojmë këtë shkrim, një dënim rekord për vjedhje të të dhënave: 15 milionë euro gjobë për operatorin telefonik Free, i cili, edhe pse vetë viktimë e një sulmi kibernetik, u ndëshkua për paaftësinë në mbrojtjen e të dhënave të mbi 24 milionë abonentëve.
Ku ekzistojnë gjyqe të tilla në Shqipëri ndaj operatorëve shtetërorë apo privatë, e jo më të shpresosh për dënime shembullore?
E së fundmi, pasi do të duheshin volume për të shpalosur paradokset e drejtësisë shqiptare, s’mund të lihet pa përmendur arratisja e bujshme nga spitali e të burgosurit tashmë shumë të kërkuar Altin Ndoci.
Pezullohen nga puna një tufë nëpunësish civilë të burgjeve me arsyetimin se duhet të hetohen “pa presion”. Por i njëjti standard nuk vlen për super-nëpunësen civile, zv.kryeministren Balluku, e cila gëzon pafundësisht prezumimin e pafajësisë. Kontabilistja e burgut nuk e gëzon këtë të drejtë.
Siç thoshte La Fontaine te “Kafshët e sëmura nga murtaja” për drejtësinë e padrejtë: je fajtor apo jo, kjo varet nga fakti nëse pushtetin e ke me vete.









