Krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Reçak, në 27-vjetorin e masakrës që tronditi opinionin ndërkombëtar.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se e vërteta për krimet e kryera nga regjimi serb do të mbrohet kudo në botë. Ajo kujtoi dëshminë e ambasadorit William Walker, duke theksuar se ajo që ndodhi në Reçak ishte krim kundër njerëzimit dhe ndaj civilëve të pafajshëm, me synim zhdukjen e popullit shqiptar në Kosovë.
“Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të vërtetën jo vetëm këtu në Kosovë, por gjithkund në botë. Sepse, ashtu siç dëshmoi ambasadori Walker, ajo që ndodhi këtu ishte krim kundër njerëzimit, ndaj të pafajshmëve, dhe ishte dëshmi e gjallë se qëllimi i regjimit serb ishte ta zhdukte popullin shqiptar në Kosovë nga faqja e dheut”, tha Osmani.









