-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Sadri Ramabaja: Kosova në epokën e konkurrencës së fuqive të mëdha

Kryesoret

Ky kapitull analizon orientimet kryesore të “Strategjisë së Sigurisë Kombëtare” të Shteteve të Bashkuara, të publikuar më 4 dhjetor, dhe implikimet e saj për Kosovën në kontekstin e ri të konkurrencës së fuqive të mëdha. Argumentohet se Kosova po pozicionohet gjithnjë e më qartë si komponent funksional i arkitekturës euroatlantike të sigurisë, ku sovraniteti funksional, rezilienca demokratike dhe kapacitetet mbrojtëse shndërrohen në elemente kyçe të kredibilitetit strategjik amerikan në Ballkanin Perëndimor.

1. Hyrje: Strategjia amerikane në fazën e re të rendit ndërkombëtar

Dokumenti amerikan i sigurisë i publikuar më 4 dhjetor përfaqëson një konsolidim të fazës së re strategjike të SHBA-së, të karakterizuar nga tri vektore kryesore:

  1. Konkurrenca sistemike me Rusinë dhe Kinën,
  2. Rimilitarizimi i arkitekturës euroatlantike,
  3. Zhvendosja nga stabiliteti formal drejt reziliencës strukturore.

Në këtë kontekst, Ballkani Perëndimor nuk trajtohet më si hapësirë periferike e menaxhimit të krizave, por si front dytësor i rëndësishëm i konkurrencës gjeopolitike. Kosova, për shkak të orientimit të saj të qartë pro-amerikan dhe pozicionit strategjik, shfaqet si një nga pikat kyçe të kësaj arkitekture.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare [ NSS] eSHBA-ve fokusohet në tre faktorë:

  1. Faktorin ushtarak, që përfiton alokime të mëdha fondesh, i mbështetur mbi parandalimin bërthamor dhe evolucionin teknologjik (përfshirë sektorin hapësinor);
  2. Faktorin ekonomik-industrial, të aftë të “përmbushë kërkesat prodhuese si në paqe, ashtu edhe në luftë”;
  3. Faktorin financiar, tashmë në gjendje të ndikojë, nëse jo të kontrollojë, ekonomitë e çdo vendi dhe, si i tillë, i thirrur të mbështesë “fuqinë e madhe amerikane”.1

Krhas kësaj, dokumenti identifikon disa skenarë me interes parësor për SHBA-të:
– së pari, rivendosjen e një sfere interesi ekskluziv që shtrihet nga Kanadaja deri në Argjentinë, me synimin për të formuar një bllok politik-ekonomik shumë të integruar, të udhëhequr nga Amerika dhe potencialisht autonom në rast krize globale;
– vazhdimin, në frymën e Anchorage-it, të përpjekjeve për ta afruar Rusinë, për të penguar konsolidimin e Heartland-it, që ka qenë gjithnjë makthi i strategëve anglosaksonë (nga Mackinder te Spykman);
– së fundi, rilançimin e Evropës, përfshirë edhe rikonfigurimin e saj, që duhet të marrë domosdoshmërisht parasysh zhvillimin e saj historik specifik.2

Në këtë kuadër, Evropa shihet gjithmonë si shtesë e SHBA-ve, rrjedhimisht edhe Europa Juglindore.

Në këtë dritë, kjo analizë synon të ofrojë një interpretim origjinal, edhe pse qëllimisht jo tepër të detajuar, të NSS-së së Donald Trumpit, në raport me Republikën e Kosovës dhe shqiptarët përgjithësisht, duke identifikuar nevojat urgjente për veprim politik, pavarësisht se ka zëra që këtë dokument e cilësojnë hiq më pak se “jostrategji”. 3

2. Ballkani Perëndimor në doktrinën e re amerikane të sigurisë

Për herë të parë pas më shumë se dy dekada, Evropa Juglindore fiton peshë të ndjeshme në agjendën strategjike amerikane. Për dallim nga administratat Obama dhe Biden, që ishin të fokusuara në Paqësor, Trumpi i rikthet edhe Europës Juglindore, duke theksuar se asnjë fuqi tjetër nuk duhet të dominojë këtë pjesë të hinterllandit strategjik dhe me interes për SHBA-të.

Sipas NSS-së, Europa Juglindore për më shumë se dy dekada I është lënë e lirë konkurrentëve [Rusisë dhe Kinës] dhe interpretimi i ri në dokument, verifikon pozicionin e ri amerikan, që e cilëson si “gabim strategjik”.

Në “Strategjinë e Sigurisë Kombëtare” të 4 dhjetorit, Ballkani artikulohet në tri dimensione kryesore:

2.1. Dimensioni i sigurisë euroatlantike

Rajoni shihet si hapësirë kufitare midis NATO-s dhe zonave të influencës ruse. Në këtë kuadër, çdo paqëndrueshmëri në Ballkan perceptohet si rrezik zinxhiror për sigurinë evropiane.

2.2. Dimensioni i reziliencës demokratike

Dokumenti thekson se institucionet e dobëta dhe korrupsioni sistemik krijojnë hapësirë për ndërhyrje hibride, dezinformim dhe kapje të shtetit – fenomene që në Ballkan janë të ndërthurura drejtpërdrejt me interesat ruse dhe kineze.

2.3. Dimensioni i konkurrencës ekonomike dhe infrastrukturore

Në vijë me politikat amerikane të viteve të fundit, theksohet nevoja për të frenuar përdorimin e investimeve strategjike si instrument ndikimi politik nga aktorë jo-perëndimorë.

Në këtë kuadër, Kosova paraqitet jo vetëm si përfitues sigurie, por si rast prove për suksesin e strategjisë amerikane në ndërtimin e partnerëve të qëndrueshëm.

3. Federata Shqiptare: fazë e avancuar e integrimit euroatlantik të shqiptarëve

Politika strategjike shqiptare ka të bëjë para së gjithash me marrëdhëniet midis interesave kombëtare shqiptare, koncepteve sovraniste të Qeverisë Kurti 3 dhe kornizës strategjike amerikane për rajonin.

Që t’i kemi më të qarta këto raporte, duhet të bëjmë një vështrim analitik bazuar në tri plane: atë që ka të bëjë me realitetin strategjik, me hapësirën manovruese, dhe me kufijtë realë të projektit të Federatës Shqiptare.

3.1 Realiteti strategjik: pse SHBA-ja është e gatshme të akomodojë sovranizmin e Kosovës?

Është e saktë që SHBA-të e kanë çliruar de facto Kosovën; ato e kanë ndërtuar arkitekturën bazë të shtetit dhe kanë investuar politikisht për më shumë se 30 vjet.

Kjo i jep Uashingtonit dy bindje themelore:

  1. Kosova është aset strategjik, jo thjesht klient politik.
  2. Sovraniteti i Kosovës nuk është rrezik, për aq kohë sa funksionon brenda orbitës euroatlantike.

Qeveria Kurti 3, me theksin te pavarësia reale, sovraniteti funksional dhe interesat kombëtare, nuk përbën problem për SHBA-në në planin strategjik. Tensionet lindin jo nga qëllimet, por nga ritmi dhe metoda.
SHBA-ja mendon në terma stabiliteti operacional, menaxhimi i aleancave dhe minimizimi i rreziqeve të eskalimit rajonal. Kurti mendon në terma konsolidim shtetëror, barazi sovrane dhe drejtësi historike. Këto dy logjika nuk janë kundërshtuese në vetvete, por jo gjithmonë sinkrone.

3.2 Hapësira reale e harmonizimit: sa larg mund të shkohet pa cenuar interesat shqiptare?

Këtu duhet bërë një dallim kritik midis harmonizimit strategjik dhe nënshtrimit politik.

a) Çfarë është e negociueshme?

SHBA-ja është e gatshme të akomodojë një Kosovë më sovrane institucionalisht, një qeveri më pak koncesionare, një diskurs më të hapur për interesin kombëtar shqiptar, për sa kohë që nuk rrezikohet arkitektura e NATO-s, nuk krijohen precedente destabilizuese për Bosnjën dhe Maqedoninë e Veriut dhe nuk hapet rrugë për ndërhyrje ruse nëpërmjet krizave etnike.
Pra, ka hapësirë reale për të ruajtur interesat shqiptare — por jo për t’i absolutizuar ato jashtë kornizës euroatlantike.

b) Ku janë vijat e kuqe amerikane?

Vijat e kuqe nuk lidhen me sovranitetin e Kosovës e as me identitetin shqiptar, por me:

  • ndryshimin e kufijve në Ballkan përmes presionit politik, Kjo theksohet qartë në NSS.
  • bashkimin shtetëror që perceptohet si domino etnike,
  • çdo lëvizje që rrezikon balancën e Bosnjës dhe Maqedonisë së Veriut.

Këtu hyn në lojë edhe çështja e Federatës Shqiptare.

3.3 Federata Shqiptare: projekt me potencial të stabilizimit rajonal

Ideja e Federatës Shqiptare (Shqipëri + Kosovë) është historikisht legjitime, emocionalisht e fuqishme, politikisht mobilizuese. E tillë duhet të shihet edhe në optikën amerikane, si projekt me potencial të stabilizimit rajonal dhe e dobishme për arkitekturën që SHBA-ja ka ndërtuar në Ballkan.

Kjo do të thotë se është e pmundur vetëm në kushte shumë të rrepta strategjike.
Federata duhet të shitet si model i integrimit post-konfliktual, jo si korrigjim historik me logjikë etnike.

3.4 Kosova si aset strategjik në dokumentin e 4 dhjetorit

Në “Strategjinë e Sigurisë Kombëtare” të publikuar më 4 dhjetor, rëndësia e Kosovës për SHBA-në artikulohet në tri plane të ndërthurura:

3.4.1. Dimensioni normativ

Kosova vazhdon të mbetet një nga rastet më domethënëse të ndërhyrjes humanitare dhe shtetndërtimit ndërkombëtar. Në një epokë ku doktrina liberale e ndërhyrjes është vënë në pikëpyetje, suksesi i Kosovës ka peshë simbolike për gjithë legjitimitetin moral të politikës perëndimore.

3. 4.2. Dimensioni gjeostrategjik

Kosova përfaqëson:

  • pikën më të qëndrueshme të ndikimit amerikan në Ballkan,
  • nyjën më proaktive të pranishmërisë së NATO-s në Evropën Juglindore,
  • dhe kontrastin më të qartë me modelin e ambiguitetit strategjik të Serbisë.
3.4.3. Dimensioni politik

Në fazën e re strategjike, SHBA-ja ka nevojë për aleatë të vegjël, por funksionalë. Kosova shihet gjithnjë e më pak si projekt i përfunduar i vitit 2008 dhe gjithnjë e më shumë si investim strategjik afatgjatë.

4. Nga stabilokracia drejt sovranitetit funksional

Një nga mesazhet më të qarta të dokumentit të 4 dhjetorit është braktisja graduale e tolerancës ndaj stabilokracisë.

Në këtë kuadër:

  • stabiliteti formal nuk shihet më si garanci sigurie,
  • sundimi i ligjit trajtohet si instrument mbrojtjeje strategjike,
  • dhe sovraniteti funksional konceptohet si kusht i paqes afatgjatë.

Për Kosovën kjo përkthehet në një ndryshim paradigmatik: forcimi i autoritetit shtetëror, përfshirë veriun e vendit, shihet nga Uashingtoni jo si burim krize, por si kontribut në arkitekturën e sigurisë rajonale.

5. Dialogu Kosovë–Serbi në dritën e strategjisë së re

Në dokumentin e 4 dhjetorit, dialogu Kosovë–Serbi trajtohet jo thjesht si proces teknik i normalizimit, por si:

  • instrument për reduktimin e influencës ruse në Serbi,
  • mekanizëm për ankorimin strategjik të Ballkanit në orbitën euroatlantike,
  • dhe test për koherencën transatlantike.

Nga perspektiva amerikane, çdo marrëveshje është strategjikisht e pranueshme vetëm nëse:

  • forcon funksionalitetin e shtetit të Kosovës;
  • shmang krijimin e strukturave bllokuese etniko-territoriale;
  • kontribuon në stabilitetin operacional të NATO-s.

Në këtë kuptim, modeli i Bosnjë-Hercegovinës shërben jo si precedent, por si paralajmërim strategjik.

6. Dimensioni ushtarak: Kosova si partner sigurie

Një nga reflektimet më konkrete të strategjisë së re amerikane është trajtimi i Kosovës si partner sigurie, jo më vetëm si përfitues mbrojtjeje.

Dokumenti i 4 dhjetorit e vendos theksin në:

  • ndërtimi i kapaciteteve [capacity building],
  • ndarja e barrës [burden sharing],
  • dhe forcim të reziliencës [forward resilience], që në këtë rast ka të bëjë me shpërfaqjen e afësive për t’u rikuperuar.

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës shihet si pjesë e arkitekturës së:

  • shpërndarjes së përgjegjësive të sigurisë,
  • ndërtimit të kapaciteteve lokale,
  • dhe zvogëlimit të varësisë nga ndërhyrja direkte amerikane.

Kosova po kalon gradualisht nga të qenunit objekt sigurie, në aktor kontribuues të sigurisë euroatlantike.

  1. Çfarë kërkon Uashingtoni nga Kosova sipas strategjisë së 4 dhjetorit?

Nga analiza e dokumentit dhe praktikës diplomatike amerikane, dalin katër pritshmëri kyçe:

  1. Qëndrueshmëri institucionale reale, jo vetëm stabilitet politik.
  2. Shtet ligjor funksional, si komponent i sigurisë kombëtare.
  3. Rezistencë ndaj ndikimit të huaj, përmes transparencës dhe luftës kundër korrupsionit.
  4. Kapacitet për të qenë partner sigurie, jo vetëm përfitues i mbrojtjes.

Në këtë kuptim, Kosova trajtohet gjithnjë e më shumë si aktor strategjik në ndërtim, jo si protektorat politik.
Një Europë e sigurt ka nevojë për një Kosovë të fortë, do të mund ët thoshte ministri Britanik i Kabinetit, Luke Pollard, po atë që para ca ditësh e tha për Ukrainën, kur bën të ditur angazhimin britanik në projektin Nightfall. Forcimi permanent i FSK-së është investimi më i mirë në parandalimin e çfardo aventureje të të mundshme të Serbisë në raport me Kosovën.

  1. Përfundim: Republika e Kosovës në arkitekturën e re të sigurisë amerikane

“Strategjia e Sigurisë Kombëtare” e SHBA-së e publikuar më 4 dhjetor 2025 e pozicionon Kosovën jo më si periferi gjeopolitike, por si:

  • nyje normative e debatit mbi ndërhyrjen humanitare dhe shtetndërtimin,
  • nyje strategjike e konkurrencës SHBA–Rusi në Ballkan,
  • nyje politike e testimit të modelit të partneritetit me shtetet e vogla.

Në këtë kontekst, e ardhmja e Kosovës nuk varet vetëm nga dialogu me Serbinë, por nga aftësia për t’u shndërruar në atë që strategjia amerikane kërkon sot nga aleatët e vegjël: shtete sovrane, funksionale dhe strategjikisht të besueshme.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit