Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka vijuar turin e tij të foltoreve dhe këtë herë u ndal në qytetin e Lezhës. Gjatë takimit të zhvilluar në Pallatin e Kulturës, Salianji theksoi angazhimin e tij të plotë brenda PD dhe fokusin që ka në rikthimin e kësaj partie në pushtet, duke refuzuar krijimin e një force të re politike.
Takimi ka sjellë një numër të madh demokratësh, të cilët janë mbledhur për të diskutuar mbi sfidat dhe mundësitë që Partia Demokratike ka për të rikuperuar besimin e humbur.
“Unë nuk do të krijoj forcë tjetër politike, shtëpia ime është Partia Demokratike dhe ne atë do ta bëjmë fituese. Shqetësimi është se si 5 fantastikët që janë lidership i PD-së nuk i dëgjojnë shqetësimet e demokratëve,” – u shpreh Salianji, i cili shtoi se përmes bashkimit të plotë të opozitës mund të realizohet rotacioni politik në Shqipëri, duke theksuar se demokratët kanë mbetur të palëkundur në kërkesën e tyre për ndryshim: “Demokratët e Lezhës i kanë provuar të gjitha, gabimet e lidershipit të PD-së dhe braktisjet, por nuk kanë humbur shpresën asnjëherë.”









