Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, kërkoi që sesioni i ri parlamentar të nisë me shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, e cila është e pandehur në një çështje të rëndë.
Blushi kritikoi maxhorancën për bllokimin e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, duke akuzuar qeverinë se po promovon korrupsionin dhe po mbron pandëshkueshmërinë.
“E keni kthyer Kuvendin në bunkerin e korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës. Ky sesion duhet të nisë punimet me heqjen e imunitetit të Ballukut dhe dorëzimin e saj para drejtësisë. I keni dhënë 6 javë kohë Belinda Ballukut për të prishur provat dhe për të intimiduar dëshmitarët. Vijimi i të qenit zëvendëskryeministre është promovim dhe mbrojtje e korrupsionit dhe e pandëshkueshmërisë. Me mbrojtjen e Ballukut nuk po provokoni opozitën, por të gjithë shqiptarët që po vidhen barbarisht nga ju. Ju keni premtuar se do të miratoni çdo kërkesë të SPAK për dhënie autorizimi,” u shpreh Blushi.









