Detaje të reja janë zbardhur nga skema e mashtrimit përmes call center-ave në Tiranë, e goditur mbrëmjen e 17 janarit nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane. Hetimet kanë nxjerrë në pah një rrjet të gjerë mashtrimi, që synonte shtetas nga disa vende europiane, kryesisht Italia, duke i nxitur të investonin shuma të mëdha parash në platforma fiktive.
Emisioni investigativ italian “Le Iene” ka publikuar një investigim të detajuar mbi mënyrën se si funksiononte call center-i që operonte nga Tirana. Sipas emisionit, redaksia ishte vënë në dijeni nga qytetarë italianë që kishin rënë pre e mashtrimit dhe kishin humbur shuma të konsiderueshme parash.
Gazetarët e “Le Iene” arritën të infiltronin një person brenda strukturës së call center-it, i cili zbuloi mekanizmin e mashtrimit. Punonjësit telefononin qytetarë të ndryshëm dhe i bindnin të investonin fillimisht shuma të vogla, rreth 250 euro, të cilat më pas rriteshin gradualisht, duke arritur deri në 200 mijë euro.
Sipas dëshmive, viktimat lejoheshin të fitonin vetëm 30–50 euro në ditë, me qëllim që të krijohej besimi dhe të nxiteshin për investime të reja. Një shtetas italian, i punësuar në call center, i ka rrëfyer të infiltruarit se të ardhurat personale nga kjo veprimtari arrinin nga 3 500 deri në 10 000 euro në muaj.
Brenda ambienteve të call center-it, kamerat e telefonave personalë bllokoheshin për të parandaluar çdo formë filmimi apo fotografimi, ndërsa organizatorët kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, kamera vëzhgimi dhe persona civilë të angazhuar për vrojtim jashtë objektit.
Gjatë operacionit të mbrëmjes së 17 janarit në Tiranë, u arrestuan tetë persona, mes tyre Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi, Elis Merkaj, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim tre vëllezërit Agim, Alfred dhe Arjan Prekaj, të dyshuar si organizatorë të aktivitetit kriminal.
Në kuadër të hetimeve, janë kontrolluar edhe dy kulla luksoze në kryeqytet, konkretisht “Atti Tower” në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse, si dhe një tjetër godinë në Bulevardin “Bajram Curri”.
Sipas veprimeve të para hetimore të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), për shkak të sinjalizimeve të hershme, ambientet ku funksiononte call center-i janë boshatisur gjatë natës me qëllim zhvendosjen në një tjetër godinë, por aktiviteti kriminal u zbulua dhe u dokumentua nga autoritetet.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të skemës së mashtrimit ndërkombëtar./JOQ









