Kryenegociatorja për Integrimin Evropian, Majlinda Dhuka, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni dhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu zhvilluan sot një konferencë me gazetarët.
“Jemi këtu për të prezantuar një paketë të rëndësishme prej 12 nismash ligjore të cilat i ka tani Kuvendi i Shqipërisë në shqyrtim dhe lidhen me shtetin e së drejtës, sundimin e ligjit, luftën krimit të organizuar, mbrojtjes nga diskriminimi, si dhe mbështetjes për familjen dhe fëmijët.
Kjo paketë prej 12 nismash ligjore të rëndësishme ka në përmbajtjen e saj 6 projektligje që Këshilli i Ministrave i ka propozuar kuvendit, dhe 6 projektligje të iniciuara nga Kuvendi.
Me anë të kësaj pakete Shqipëria do të dekriminalizojë plotësisht veprën penale të shpifjes ndaj gazetarëve duke rritur mbrojtjen ndaj gazetarëve, duke i garantuar në të njëjtën kohë një mbrojtje të re nga kanosja për shkak të detyrës.
Një numër vendesh të BE-së e kanë ende të kriminalizuar shpifjen, përfshirë edhe gazetarët për shkak se ekzistojnë edhe sfida të mëdha në lidhje me dezinformimin sidomos në epokën digjitale, por Shqipëria mendon se ky është investim në demokraci dhe lirinë e shprehjes” tha ajo.









