Nesër do të mblidhet Kuvendi për të votuar nëse Shqipëria do të pranojë që të marrë pjesë në Bordin e Paqes së krijuar dhe drejtuar nga Presidenti Donald Trump. Partia Demokratike thekson se ende nuk ka një njoftim për mbledhjen e Kuvendit.
Njoftimi i Grupit Parlamentar të PD:
Të nderuar kolegë! Në përgjigje të interesit të disa prej mediave, për pjesëmarrjen ose jo në një seancë plenare të supozuar pë t’u zhvilluar nesër, ju bëjmë me dije se deri në orën 16.40, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka marrë asnjë njoftim nga Kryetari i Kuvendit për mbledhje të seancës penare gjatë kësaj jave. Me vendim të njëanshëm të mazhorancës në seancën plenare të datës 19.01.2026, në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit, është përcaktuar që këtë javë nuk ka seancë plenare. Seanca plenare e radhës është planifikuar për tu zhvilluar në datën 27 Janar.
Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se sipas pikës 3, të nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, mbledhja e seancës plenare dhe rendi i ditës, i njoftohen deputetëve dhe publikut, si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar për seancë plenare.
Transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve i dikton Kuvendit të Shqipërisë, që për secilën çështje, për secilën vendimmarrje, të respektojë rregullat e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, në respekt edhe të përgjegjshmërisë që duhet të tregojë secili deputet gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues









