Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, iu përgjigj në seancën e Kuvendit deputetit të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, duke theksuar rëndësinë e përshpejtimit të procedurave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
Balla theksoi se nuk ka kohë për të humbur dhe se çështja duhet të kalojë pa pengesa përpara, duke nënvizuar nevojën për angazhimin ndërkombëtar të Shqipërisë në këtë proces.
“Kam përpara një kërkesë të firmosur nga deputeti që sapo foli, i cili për këtë shkelje që paskemi bërë, ka propozuar amendamente. Ne themi ndryshe dhe bëjmë ndryshe. Çka na gjeti me ju? Padyshim që duhet të mblidhet Komisioni i Politikës së Jashtme për të shqyrtuar çështjen. Po këtë teatrin, me këto deklarata se gjoja na paskemi gjetur një zgjidhje proceduriale. Kur bëhet fjalë për angazhime ndërkombëtare, presidenti është përfshirë, sepse kërkohet autorizimi i tij. Shkon në Komision, aty e ke. Zoti Kryetar, për të mos humbur kohë, të kalojmë në votim kërkesën tonë. Shqipëria dhe Kryeministri nuk kanë kohë për të humbur për të marrë pjesë në Bordin e Paqes.”









