Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim për kalimin e një reparti ushtarak në Tiranë me një sipërfaqe prej 12,690 m² në administrim të shoqërisë “Partizani” sh.a.
Ky vendim parashikon dhënien e pasurisë me qira për 1 euro, ndërsa klubi do të përdorë hapësirën për zhvillimin e infrastrukturës sportive, përfshirë ndërtimin e dy fushave dhe një hoteli për grumbullimet e futbollistëve.
Ky projekt është pjesë e një plani të gjerë për modernizimin dhe zgjerimin e mundësive të trajtimit dhe stërvitjes së talenteve të reja në futboll.
Njoftimi i Qeverisë:
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË DHE NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.183, DATË 9.3.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË ZHVILLIMIT EKONOMIK, TURIZMIT, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “PARTIZANI”, SH.A., SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË “AMBIENTE TË PRONËS NR.4, ME EMËRTIM “REPARTI USHTARAK NR.4030, RRUGA “MYSLYM KETA”, TIRANË”, NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË SË MBROJTJES”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe të krerëve I, pika 5, shkronja “e”, dhe V, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.183, datë 9.3.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesa dhe ndryshimi, si më poshtë vijon:
- Pas pikës 1 shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1.1. Dhënien e miratimit për lidhjen e shtesës së kontratës së qirasë, me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Partizani”, sh.a., me NUIS K02322003T, si qiramarrës, për pasurinë e paluajtshme shtetërore nr.3/442 (prona nr.6, me emërtim “Reparti ushtarak nr.6010 (IGJIU), ish-RU nr.7030 (IGJU)”), me sipërfaqe të përgjithshme 12 692.94 (dymbëdhjetë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e dy pikë nëntëdhjetë e katër) m2, në zonën kadastrale 8110, me vendndodhje në Tiranë, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes, sipas dokumentacionit të pronësisë, genplanit dhe tekstit të projektkontratës, që i bashkëlidhen këtij vendimi.”.
- Në pikën 2, emërtesa “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohet me “Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA









