Evropa i ngjan një vullkani, gati për shpërthim në çdo kohë. Për konkretizim po i referohem sondazhit të fundit të YouGov i Gjeneratës Z (lindur midis viteve 1997-2012). Vihet re një lloj radikalizimi i kësaj gjenerate. Vetëm 57% e të pyeturve u besojnë ende formave demokratike të qeverisjes, kurse 25% e tyre do të preferonin sundimin autoritar.
Në Itali, një e katërta e të rinjve të pyetur, thanë se janë të lodhur nga demokracia e paqëndrueshme; gjysma e të rinjve francezë dëshirojnë një burrë të fortë: një Napoleon të kohëve të mëvonshme, ose një De Gol. Për ta demokracia duket në rastin më të mirë si një pronë e teknokratëve egoistë, në rastin më të keq si një lojë e kotë. Historiani gjerman Fritz Stern e ka quajtur një dukuri të tillë “politikë e dëshpërimit kulturor”. Në raport me Bashkimin Evropian, 39% e të rinjve të pyetur thonë se BE-ja nuk është aq demokratike dhe se Evropa në tërësi është bërë një fuqi gjithnjë e më pak ndikuese së proceset botërore.
Pse Evropa, që premtoi kaq shumë, ka rezultuar një zhgënjim i tillë për një brez që ka shijuar frytet e demokracisë? Përgjigja është e thjeshtë në dukje, por sipas Daniel Xhonsonit, që analizon sondazhin YouGov i Gjeneration Z, çështja është, se njerëzit sidomos Brezi Z, ndihen të zhgënjyer nga elitat e vetëkënaqura dhe të paafta që e kanë çuar kontinentin drejt shkatërrimit. “Evropa nuk është ndjerë kurrë më e dobët ose më e padëshirueshme si sot – shkruan ai. – Nuk është çudi që kënga e sirenës së diktaturës të jehojë përsëri!”
(Daniel Jonson, “Demokracia Evropiane është në rrezik!” (“Il Telegraf”. 6. 07. 2025)
Janë bërë kritika të vazhdueshme, por nuk janë vlerësuar me objektivitet, prandaj ka ndodhur që klasa politike në vendet anëtare dhe vetë burokracia e Brukselit, ta përdorin demokracinë për përfitime personale, duke i lënë disi në vetërrjedhje problemet dhe shqetësimet konkrete të dala nga sondazhet e herëpashershme të opinionit Evropian. (Gollup, YouGov etj.).
Domosdoshmërish i duhet kthyer respektit ndaj inteligjencës së qytetarit dhe kërkesave të tij legjitime për më shumë demokraci. Apo për ta mbrojtur nga radikalizimet e tipit fashist, nazist që “po trokasin në derë”, kurse mediat sociale janë gati të ofrojnë mjetet për krijimin e kulteve dhe personaliteteve autoritare, të “diktatorëve të ardhshëm apo të ‘Fyrërve’”!
Bashkimi Evropian, në trajtën që u formua në vitin 1992, duket sikur e ka shterur veten, ka filluar të vuajë nga kriza e ideve, e lidershipit dhe nga praktikat burokratike të centralizuara në Bruksel. Nuk besoj se ka arsye të mjaftueshme për ta kundërshtuar “nevojën e ndryshimit, ose ndryshe riformatimit” të Bashkimit Evropian! Tashmë duket se janë krijuar premisat e brendshme dhe të jashtme për ta bërë këtë. Mendoj se sot çështja më tepër ka të bëjë kryesisht me thellësinë dhe format e ndryshimit.
Para disa vitesh, i pyetur nga gazetari Ermal Gjini për të ardhmen e Shqipërisë dhe BEsë në vitin 2049, kam dhënë këtë përgjigje: “Në vitin 2049 Shqipërinë e shoh si anëtare aktive të Bashkimit Evropian. Veçse, me dy kushte: së pari, vetëm në qoftë se BE-ja do të arrijë të tejkalojë krizën e ideve, prirjet nacionaliste disintegruese që po vijnë duke u rritur. Së dyti, vetëm po të vazhdojë të zgjerojë gjeografinë dhe të thellojë integrimin për ta ngritur Bashkimin Evropian në bashkësi popujsh. Ndryshe, mund të mos jetë më në vitin 2049!” (“Midis realitetit dhe imagjinatës”. “Shtëpia botuese “Morava”, 2020, f. 45).
Ndërkaq, me ardhjen në “Shtëpinë e Bardhë “të antiglobalistit D. Tramp, u shtrua nevoja e shpërbërjes së Evropës si bastion i globalizmit, si strukturë që mohon sovranitetin e shteteve dhe paralizon popujt e lashtë të Evropës. “Perëndimi kolektiv”, në kuptimin që ka pasur ky koncept deri tani, nuk ekziston më. Në mënyrë figurative dhe duke riprodhuar një shprehje të D. Tramp-it të mandatit të parë, kërkohet “Tharje e kënetës Evropiane”.
Ndryshe, Evropa mbetet “prapa liste”, jashtë strukturave të “Rendit të ri botëror” në krijim. Vlen të nënvizohet se përgjithësisht politikanët dhe popujt evropianë, të mësuar me përjetimin dhe idealizimin e paqes, e harruan rrezikun potencial të një lufte të mundshme. Si pasojë, evropianët ishin të papërgatitur ushtarakisht dhe nuk reaguan fuqishëm as politikisht për të parandaluar luftën, që nuk duhej të kishte filluar në Ukrainë.
Drejt riformatimit të Evropës së Bashkuar
Çfarë dëshiron të jetë në të vërtetë Evropa? Evropa gjendet para një realiteti të ri gjeopolitik, kur i kërkohet të marrë një vendim që t’u përshtatet realiteteve të reja botërore. Perëndimi, aq tërheqës e rrezatues, i prezantuar për dekada të tëra, nuk ekziston më. SHBA-ja dhe “kontinenti i vjetër”, të lidhur organikisht, aq sa dukeshin si “Një”, të pandarë nga oqeani Atlantik, nuk janë më “po ata”, por të ndryshëm deri dhe antagonistë!
Presidentja e Këshillit të Evropës e shtron qartë idenë e një “Evrope ndryshe”, të një Evrope si subjekt i pavarur në “lojën e sotme të fuqive” për vendosjen e rendit të ri botëror. “Epoka jonë e madhe e ardhshme, projekti i madh unifikues i ardhshëm, deklaron Ursulla von der Leyen, ka të bëjë me ndërtimin e një Evrope të pavarur”. Po si mund të arrihet një objektiv i tillë madhor? Çështje e hapur.
Në këtë situatë, mendoj, se Evropës i duhet, Së pari, një vizion i qartë i identitetit të saj të ardhshëm; Së dyti, ndërgjegjësimi për rolin saj si fuqi gjeopolitike e gjeostrategjike për të përballuar ndryshimet që po ndodhin në rendin botëror; Së treti, koha e kërkon që Evropa të jetë e bashkuar dhe jo e ndarë, pra të “rishpikë veten”, të rilindë!
Evropa i ka të gjitha mundësitë për të qenë e fortë, e zhvilluar, jo vetëm në rrafshin politik e ushtarak, por edhe në atë të zhvillimit të teknologjisë së Intelektit Artificial (IA), ku rivaliteti dhe konkurrenca shkon duke u rritur. Ajo ka paratë, kapacitetin teknologjik, njerëzit dhe kompanitë e nevojshme për të siguruar të ardhmen e saj. “Por duhet vepruar tani! Menjëherë”, – vëren ish-ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Joshka Fisher, për të realizuar një ndryshim historik thelbësor dhe për të mbetur “një projekt paqeje”! (DW. 20. 02. 2025).
Drejt “Shteteve të Bashkuara të Evropës”(SHBE)
Një status i tillë për Evropën është dëshiruar dhe është shtruar herët nga politikanë vizionarë të Evropës, por me sa duket koha për ta përmbushur atë “është tani”! Aktualisht janë 12 vende me rreth 150 milionë banorë që presin anëtarësimin në BE. Këta nuk janë thjesht tregues sasiorë, por edhe tregues të vlerave humane e sociale që mbart Bashkimi Evropian dhe që dëshmojnë se Evropa është më shumë se një bashkim i mbi një miliard njerëzish. Por, praktikisht, sot BE-ja është një strukturë qeverisëse tepër kolegjiale me vendime që kanë efekte gjysmake. Madje, mund të thuhet se ngjason më tepër me një shoqatë evropiane. Shtetet sovrane ia kanë deleguar sovranitetin BE-së, por realisht nuk janë plotësisht sovranë, as BE-ja dhe as shtetet anëtare. Imperative është bërë dalja nga kjo gjendje pasigurie “prit e shih”, nga dyzimi midis bashkësisë së pastër ekonomike dhe sovranitetit shtetëror evropian.
Sot kërkohet që të hidhet hapi vendimtar për ngritjen e integrimit evropian në nivelin e tij më të lartë, në atë të Federatës Evropiane, apo të Shteteve të Bashkuara të Evropës (SHBE), bazuar mbi autonominë e re strategjike kontinentale. Kjo, së pari, do të zgjidhte krizën e identitetit të Bashkimit Evropian dhe do ta bënte demokracinë e brendshme më funksionale; së dyti, do të ridimensiononte edhe raportet SHBA-BE, që sot nuk duken të jenë as partnerë dhe as rivalë të mirëfilltë!
Ndërkaq, reformat e brendshme dhe formimi i Federatës Evropiane, nënkuptojnë një lidhje më të ngushtë të shteteve evropiane midis tyre, si dhe krijimin e një organi qendror, bartës i pushtetit shtetëror, i pushtetit sovran në shkallë federale. Prerogativat kryesore të këtij pushteti rregullohen me kushtetutë dhe kanë të bëjnë kryesisht me çështjet e politikës së jashtme, me sigurinë dhe ushtrinë, me monedhën e përbashkët etj.. Çështjet e tjera mbeten kompetencë e organeve shtetërore të vendeve anëtare.
Shtet-civilizimi evropian
Ku qëndrojnë vlerat dhe avantazhet e një niveli të tillë organizimi të popujve evropianë? Gjëja e parë dhe më e rëndësishmja është paraqitja e Evropës në arenën botërore si një shtet i vetëm unitar, si SHBE, si subjekt i vetëm në të drejtën ndërkombëtare. Jo më pak e rëndësishme është mundësia për hapësira më të mëdha të demokracisë përfaqësuese dhe të demokracisë së drejtpërdrejtë. Organizimi shtetëror, tipik për federatat është organi ligjvënës i përbërë nga dy dhoma: nga dhoma e përfaqësuesve të vendeve anëtare dhe dhoma e senatit, e përfaqësuesve elitë të zgjedhur nga gjithë territori i shtetit federativ. Të dyja dhomat do të kenë status të barabartë. Ndërkaq, shtetet anëtare të Federatës do të kenë organet e veta ligjvënëse, ekzekutive dhe gjyqësore të pavarura, të zgjedhura apo të krijuara në bazë të kushtetutës së çdo shteti anëtar dhe në pajtueshmëri me kushtetutën qendrore federative.
Në lidhje me tipin e sovranitetit ka mendime të ndryshme, por më racional në rastin tonë, është ai i sovranitetit të ndarë ndërmjet Federatës dhe shteteve anëtare. Kjo nënkupton që vetëm së bashku (e jo veç e veç) e bëjnë shtetin e përbërë me sovranitet të padiskutueshëm dhe përfaqësues legjitim në raport me shtetet e tjera të botës. Shkurt, Federata e ardhshme Evropiane, në këtë vizion, është bartëse sovraniteti. Kuptohet, nuk pretendoj, se kjo linjë organizative e SHBE-së është e vetmja e mundshme. Në raste të tilla praktika mund të nxjerrë mundësi të tjera. Por e rëndësishme është të pranohet se Bashkimi Evropian i sotëm duhet ndryshuar, se demokracia ka ngecur dhe është duke “lëvizur nëpër një korridor të ngushtë”, e kërcënuar çdo ditë nga e drejta e vetos, pra nga kërcënimi permanent bllokues ndaj çdo vendimi a zgjidhjeje drejt së ardhmes. Kjo e lë të hapur rrugën e shkarjes drejt oklokracisë.
Realisht, ky është apel për ndryshim. Politikanët e Evropës ka ardhur koha të kuptojnë sesa thellësisht ka ndryshuar bota e tyre dhe sesa duhet përshpejtuar bashkimi i gjithë Evropës. Aleanca transatlantike ka përfunduar. Evropa tani duhet të ketë prerogativat e një shteti kushtetues, të një Evrope gjeopolitike, me raporte të reja në lojën e fuqive dhe në kërkim të Rendit të Ri botëror! Vetëm kështu Evropa plotëson kushtet për të qenë “Shtet-civilizim” dhe shtet i “hapësirave të mëdha”! Pritet vetëm kalimi nga “duhet” në “bëhet” dhe “do ta bëjmë”!
Mirëpo, një vizion i tillë ende duket i largët dhe i paarritshëm për liderët aktualë të BE-së. Vënia e theksit te mbiarmatimi i Evropës, te rritja e jashtëzakonshme e buxheteve ushtarake, te bilanci global i fuqisë, apo te kthimi i Gjermanisë tek “ushtria e madhe” etj., nuk duhet të errësojnë nevojën e riformatimit thelbësor të Bashkimit Evropian.
Shënim! Pjesë e shkëputur nga botimi i fundit i studiuesit të njohur të politikës me titull “Në kërkim të rendit të ri botëror”. I ndarë në shtatë kapituj me tri çështje përmbajtësore secila, mëton që të sjellë një pasqyrim këndgjerë të kohës ku jetojmë dhe sfidat e kësaj kohe, përmes një analize të kujdesshme dhe të thellë.









