Ura e Golikut, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, e ndërtuar në fund të shekullit XVII po përballet sot me rrezikun real të shkatërrimit. Një nga veprat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në zonën e Mokrës, e lidhur historikisht me degëzimin e rrugës antike Egnatia, po dëmtohet vazhdimisht nga gërmimet e paligjshme.
Prej vitesh, ura bie pre e kërkuesve të arit dhe materialeve arkeologjike, që ndërhyjnë në mënyrë të përsëritur në strukturën dhe trupin e saj, duke cenuar seriozisht qëndrueshmërinë e monumentit.
Dëmtime të tilla janë konstatuar edhe së fundmi, por autorët mbeten të paidentifikuar, pasi gërmimet kryhen gjatë orëve të natës.
Pasojat janë të dukshme, zgavra në themele, çarje në trupin e urës dhe shembje të pjesshme të materialit lidhës, dëmtime që përbëjnë rrezik serioz.
“Janë bërë punime, dhe rreziku është rritur ndjeshëm. Gërmojnë zakonisht natën se ditën nuk i lë njeri për të gjetur flori”
“Kërkoj nga institucionet shtetërore mbarëvajtjen e kësaj ure. Në radhe të parë po shkatërrohet nga dora e njerëzve plus dhe nga shirat dhe kjo urë vite më përpara ka shërbyer për shkëmbime të ndryshme.”
Përveç ndërhyrjeve kriminale, edhe faktorët atmosferikë kanë luajtur rolin e tyre. Mbi 300 vite ekspozim ndaj reshjeve, ngricave dhe erozionit kanë përshpejtuar degradimin e urës, duke e bërë sot emergjente ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.
Në këto kushte, banorët dhe drejtuesit vendorë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Ministria e Turizmit dhe Kulturës, përmes një projekti serioz restaurimi dhe rehabilitimi.
“Unë vij përherë që e shikoj dhe këtë vit më duket më e shkatërruar, dhe nëse nuk vihet dorë nga institucionet shtetërore kjo urë rrezikon realisht shkatërrimin”, deklaroi kryeplaku.
Problemi nuk është i izoluar ashtu si Ura e Golikut, edhe varret monumentale të Selcës, vetëm pak kilometra më tutje një tjetër sit arkeologjik me rëndësi të jashtëzakonshme vuajnë nga nivele sigurie dhe ruajtjeje pothuajse zero.
Kjo situatë i ka lehtësuar grabitësit, të cilët gërmojnë pa asnjë pengesë, duke shkatërruar pasuri të pazëvendësueshme kulturore.









