Një person i dyshuar për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal dhe për sigurimin e kushteve për kryerjen e një vrasjeje është ekstraduar nga Zvicra në Shqipëri.
Bëhet fjalë për J.K., 37 vjeç, nga Shkodra, i cili dyshohet se gjatë periudhës dhjetor 2020–maj 2024 ka siguruar mjete dhe kushte materiale për të kryer vrasjen e dy vëllezërve, D.B. dhe V.B.
Procedura e ekstradimit u finalizua përmes koordinimit të specialistëve të Drejtorisë së Interpol Tirana dhe Interpol Bern.
Interpol Tirana
Ekstradohet nga Zvicra, 1 shtetas i akuzuar nga GJKKO-ja, si pjesëtar i një grupi kriminal.
Ai dyshohet se për një periudhë 4-vjeçare, ka siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e 2 vëllezërve.
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpol Tiranës dhe Interpol Bern, u finalizua procedura për ekstradimin nga Zvicra në Shqipëri, të shtetasit:
-J. K., 37 vjeç, lindur në Shkodër.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dyshohet se ky shtetas, gjatë periudhës dhjetor 2020-maj 2024, ka siguruar kushte dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e vëllezërve D. B. dhe V. B..









