Deputeti Ulsi Manja theksoi nevojën për një kod të ri penal gjatë seancës plenare të Kuvendit. Ai shpjegoi se ky ndryshim është i domosdoshëm për procesin e integrimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe ka për qëllim forcimin e kuadrit ligjor kundër krimeve të rënda, si pastrimi i parave dhe terrorizmi.
Manja u shpreh gjithashtu se gazetaria e lirë nuk do të preket nga ndryshimet ligjore, ndërsa shpifësit do të përballen me ligjin.
“Jemi në rrugën e duhur për të pasur një kod të ri penal. Ndryshimet që paraqesim sot forcojnë kuadrin kundër pastrimit të parave dhe terrorizmit. Gazetarët nuk duhet të shqetësohen, por profesionistët e shpifjes duhet të përballen me forcën e ligjit. Nuk ka ligj që mbron shpifësit. Ne jemi angazhuar të hartojmë ligjin anti-slapp deri në vitin 2027, për të siguruar që liria e fjalës të mbrohet, por pa u lejuar përhapjen e dezinformacioneve,” tha Manja.









