Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të ligjit penal nga qeveria, duke e cilësuar atë si një mjet presioni politik për të kontrolluar median dhe për të mbrojtur reputacionin e politikanëve.
Ajo i kërkoi Kuvendit të shfuqizojë nenet 119 dhe 120 të Kodit Penal, duke theksuar se shpifja dhe fyerja nuk mund të konsiderohen vepra penale. Sipas Tabakut, kjo është një mundësi për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe për të parandaluar presionin ndaj gazetarëve që raportojnë për çështje të ndjeshme.
“Së pari, prej disa muajsh së bashku me një grup shumë të mirë ekspertësh, gazetarësh, juristësh, aktivistësh, kemi punuar për të sjellë në Kuvend një amendim për Kodin Penal. Kjo është nismë që ne si PD e propozojmë jo thjesht për rregullim burokratik, por sepse këmbanat e alarmit për median në Shqipëri, bien aq fort saqë ata që kanë mbyllur veshët nga zhurma e propagandës së pushtetit, nuk e dëgjojnë. Realiteti i medias nuk është kaq rozë sa u prezantua këtu. Kujtesa është shpesh armiku më i madh i kësaj qeverie. Në vitin 2004, Shqipëria rënditej në vendin e 34 në botë për lirinë e medias. Në vitin 2014, Shqipëria ishte ne vendin 85, sot Shqipëria është në vendin e 99. Ky është rrënim, certifikim ndërkombëtar i kapjes së medias nga interesat e pushtetit.. Analiza bëhet më e zymtë kur shohim edhe indeksin e demokracisë. Shqipëria klasifikohej si autokraci elektorale. Sot ligji penal përdoret si presion, e përdorni si mjet presioni politik. Vetëm në 2024, janë shënuar 45 incidente të rënda ndaj gazetarëve. Këto tregues targetojnë kryesisht gazetare gra. Nuk ka integrim europian me gazetarë që rrinë nëpër gjykata për shkrimet e tyre. Ligji penal nuk mund të përdoret për të mbrojtur reputacionet e politikanëve. Propozimi është i qartë, i drejtë, europian, e ndarë në dy shtylla. Shtylla e parë është liria, kërkojmë shfuqizimin e neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal, shpifja dhe fyerja nuk mund të jenë vepra penale. Sigurisht që nëse dikush ka ankesë,e mbron me ligjin civil, por pranga dhe qelia nuk mund të jenë kërcënim për fjalën e lirë.”









