Pas një seance plenare që zgjati rreth 18 orë, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar paketën e ndryshimeve në Kodin Penal me 85 vota pro.
Dy ndryshimet kryesore janë ashpërsimi i sanksionit penal për parkimin dysh dhe dekriminalizimi i shpifjes për gazetarët, duke i dhënë imunitet vetëm këtyre të fundit nga procedimi penal për veprën penale të shpifjes.
Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari shprehet se ndryshimet e miratura me 85 vota shënojnë një avancim tjetër “në përpjekjen tonë të përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës, adresimin e shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, kontrollin e territorit, pastrimin e parave, trafikimin e qënieve njerëzore, terrorizmit etj”.
“Veç kësaj, përmbushim gjithashtu detyrimet që rrjedhin nga procesi i integrimit për në BE, përmes përafrimit të 7 akteve kyçe të Acquis communautaire. Sfida e madhe që kemi tani përpara është projekti për një Kod të ri Penal, për të cilin është bërë një punë e shkëlqyer me transparencë e gjithëpërfshirje dhe procesi vijon për të mbledhur kontributet më të mira e për të bërë reflektimet e duhura” shprehet ai.
Votimi në tërësi: 85 pro, 0 abstenim, 9 kundër
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Nisma e Jorida Tabakut
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të ndryshuar.
Projektligji “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje”.
Projektligji “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”.
Projektligji “Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve”.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.









