Në një ceremoni të mbajtur sot, Presidenti Bajram Begaj dorëzoi flamurin për ekipin shqiptar që do të përfaqësojë vendin në Lojërat Olimpike Dimërore të Cortinës, Itali. Katër skiatorët shqiptarë—Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti—do të nderojnë Shqipërinë në këtë event prestigjioz.
Gjatë fjalës së tij, Begaj theksoi rëndësinë e mbështetjes për sportet e tjera përveç futbollit dhe vuri në dukje se ky ishte një hap i madh për sportin shqiptar në arenën ndërkombëtare.
“Jemi mësuar që të bëjmë shumë tifozllëk dhe nderime për futbollin, sepse është një sport masiv dhe Kombëtarja jonë na ka përfaqësuar denjësisht. Por ka edhe sporte të tjera që kanë më pak mbështetje, por kanë më shumë përkushtim dhe dashuri. Sporte si skijimi, mundja dhe peshëngritja, të cilat, ndonëse mund të duken më të vogla, janë po aq të rëndësishme për ne. Duhet të mbështesim këto sporte, ashtu si mbështesim futbollin, dhe të japim duartritje për sukseset e tyre. Këto janë sporte që na bëjnë krenar, dhe duhet ta pranojmë se Shqipëria është e aftë të garojë me më të mirët në botë. Për këtë arsye, dorëzimi i flamurit sot është më shumë se një akt ceremonial – është një simbol i forcës, nderimit dhe besimit që kemi për përfaqësuesit tanë. Ata do të mbajnë ambicien e Shqipërisë në Lojërat Olimpike të Cortinës, duke treguar se nuk jemi më thjesht vizitorë, por një komb që konkurron me nder.”









