Në një takim të zhvilluar të premten, Policia e Shtetit dhe EUROPOL konfirmuan forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda. Takimi, që u udhëhoq nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, dhe përfaqësuesit e EUROPOL-it, përfshiu diskutime mbi forcimin e hetimeve proaktive, shkëmbimin e informacionit dhe luftën kundër grupeve kriminale me rrezikshmëri të lartë dhe lidhje ndërkombëtare.
Pjesë e bisedimeve ishte angazhimi i Policisë shqiptare në projektet e EMPACT për vitet 2026-2027 dhe bashkëpunimi në fusha si trafikimi i drogës, krimi mjedisor, trafikimi i qenieve njerëzore dhe emigracioni i paligjshëm.
U theksua gjithashtu rëndësia e koordinimit të hetimeve paralele dhe ofrimit të mbështetjes teknike nga EUROPOL për hetime të veçanta.
Ky intensifikim i bashkëpunimit ka për qëllim rritjen e efektivitetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve kriminale ndërkombëtare, duke rritur kapacitetet operacionale dhe strategjike të Policisë shqiptare dhe atyre të EUROPOL-it.









