Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me fermerët në kuadër të përgatitjes së Skemës Kombëtare 2026, ku theksoi nevojën për të ndërtuar politikat mbështetëse mbi një pasqyrë sa më reale të kërkesave dhe nevojave në terren.
Gjatë ciklit të dëgjesave në qarqe të ndryshme të vendit, Rama vuri theksin te mundësitë e pashfrytëzuara të financimit në bujqësi, duke nënvizuar se sfida kryesore nuk është mungesa e fondeve, por mungesa e informacionit, përgatitjes dhe aftësisë për t’i përthithur ato.
Ai bëri me dije se janë në dispozicion 250 milionë euro kredi me garanci shtetërore dhe interesa të ulëta, si dhe fonde në rritje nga Bashkimi Europian, por kërkoi angazhim më të madh nga bashkitë dhe bashkëpunim më të ngushtë me fermerët për hartimin e projekteve të qëndrueshme dhe të financueshme.
“Dua të fokusohem në një aspekt tjetër që ka të bëjë me mundësitë e pashfrytëzuara, pasi ne jemi mësuar që t’i referohemi buxhetit të shtetit. Por ai është njëri nga komponentët e zinxhirit të financimeve të bujqësisë.
Buxheti i shtetit është më i thjeshti, pasi përcaktohet nga qeveria, miratohet nga Parlamenti dhe vjen te bujku, apo fermerët në një kanal që është aplikimi përkatës. Komponentët e tjerë do të bëhen më të pranishëm dhe duhet që të gjithë të përpiqen që të mësojnë dhe të aftësohen për t’i shfrytëzuar.
Sot në vendin tonë çështja e financimit të projekteve që secili ka dhe do të bëjë, nuk është problem pasi paratë janë. Por problemi është mungesa e informacionit dhe përgatitjes për t’i thithur ato para. Fonde nga BE do të kemi më shumë, por duhet të jemi të aftë që t’i thithim.
Duhen disa gjëra jo shumë të ngatërruara, por disa gjëra nuk duhet të shmangen. Është një dosje që duhet të ketë brenda një projekt dhe që duhet financuar. Kemi vënë në dispozicion të bujqësisë 250 mln euro, që mund të shkojnë dhe 1 mld, nëse konsumohen.
Të gjithë mund të shkojnë dhe të marrin kredi me garanci nga shteti. Normat e interesit janë shumë më të ulëta. Ka një mangësi që është pushteti vendor. Kryetarët e bashkive duhet të jenë më aktivë në bashkëpunim me bujqërit që të adresojnë këto financime.
Nuk duhet të ketë asnjë problem, nëse duhet një komponent agro-përpunimi në një zonë bujqësore. Në rast se duhet një stallë tjetër, nëse duhet një mekanik tjetër, s’duhet të ketë problem. Bashkitë dhe ju mund të krijoni struktura të përbashkëta për të marrë këto financime”, tha ai.









