Ambicia e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e unionit në vitin 2029 ka marrë konfirmim edhe nga raportuesi i vendit tonë në Parlamentin Europian Andreas Schieder.
Për Schieder, përmbushja e kritereve të BE kërkon vullnet nga të gjithë aktorët politikë dhe jo vetëm, megjithatë theksoi se vendi ynë ka bërë një progres të dukshëm.
“Ky nuk është vetëm projekt i qeverisë por i të gjithëve, duke nisur që nga qytetarët që duhet të tregojnë se çfarë po shkon mirë dhe çfarë po shkon keq. Sa më shpejt të përmbushen kushtet, aq më mirë por edhe pse nuk duhet të jap një datë specifike dua thjesht të them që si relator shpresoj që në fund të mandatit tim pra në vitin 2029 të them që Shqipëria do t’i bashkohet BE”, tha Schieder.
Vendi ynë synon që brenda këtij viti të mbyllë deri në 16 kapituj dhe brenda vitit të ardhshëm të përfundojë procesi teknik. Por sfidë mbetet mbështetja nga vendet e anëtare, të cilët duhet të japin dritën jeshile.
“Është e rëndësishme të punohet me opinionet publike në europë, në mënyrë që të zvogëlohen përceptimet që qytetaret kanë për zgjerimin. Nuk jam I shqetësuar për Spanjën, që sipas sondazheve të fundit ka një nivel të lartë pranimi për zgjerimin. Që do të thotë ne spanjollet duam që shqipëria dhe vendet e tjera të jenë sëbashku në BE sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ambasadori i Spanjës në Tiranë, Gabriel Ventura.
Megjithatë diplomatët e huaj e vlerësojnë punën e bërë.
“Franca është përkrah jush, jo për tju numëruar hapat, por si një partner rruge që e di që forca e një bashkimi nuk matet vetëm në ditën e nisjes dhe ditën e mbërritjes por në solidaritetin e lidhur në cdo kilometer të kryer sëbashku”, tha ambasadorja e Francës në Tiranë, Catherine Suard.
Ky vit konsiderohet vendimtar për Shqipërinë, e cila duhet të përafrojë legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian, dhe të mbyllë 33 kapituj të negociatave vitin e ardhshëm në përmbushje të angazhit për anëtarësim me të drejta në Bashkimin Europian brenda 2030.









