Migjen Basha për Kombëtaren aktuale

– Si e sheh sot Kombëtaren shqiptare, nga përvoja jote si ish-lojtar?

– E shoh shumë mirë. Këto rezultate nuk janë rastësi. Besoj që puna e tanishme, që Kombëtarja ka rezultate pozitive ka nisur shumë më herët. Shihet edhe te përmirësimi i infrastrukturës, te kushtet. Ne kemi pasur kushte më ndryshe atëherë.

Po shihen rezultatet që vijnë avash-avash. Sa i përket kualitetit të lojtarëve, kemi lojtarë si Broja, Asllani, Gjimshiti. Më pëlqen shumë Mitaj në krah, qetësia e tij. Kualiteti është shumë i mirë sot dhe besoj se kemi shanse për kualifikim.

– A ka një lojtar aktual që të kujton stilin tënd në fushë?

– Të them të drejtën e vështirë ta them sepse janë më të mirë tani sesa ne që ishim atëherë. E kam thënë gjithmonë dhe fakti që ne kishim angazhimin, Lila, Abrashi, Xhaka, Memushaj. Ne kemi qenë shumë punëtorë. Ndoshta kualiteti është më i mirë sot, nuk është kritikë për tani. Ne kemi qenë një skuadër punëtore, tani kemi më shumë kualitet. Sot skuadra është ndryshe.

– Sa shanse ka ky ekip te kalojë fazën e play-offit dhe të bëjë realitet ëndrrën botëror?

– Me % nuk mund ta them, por skuadra i ka të gjitha kualitetet për t’i fituar ndeshjet edhe jashtë.

– Nëse sot do ishe në dhomën e zhveshjes para play-offit. Çfare do t’i thoje ekipit?

– E para është guximi. Shpresoj që në atë ditë të jenë të gjithë në super formë dhe besoj se do jenë sepse nuk ka dy ndeshje. Është vetëm një ndeshje direkt dhe uroj të jenë të gjithë në formë. Pavarësisht se kush është titullar, apo në pankinë, të gjithë duhet të jenë bashkë dhe synimi të jetë një për të gjithë.

Trashëgimia e Migjen Bashës dhe aktualiteti

– Çfarë do të thotë sot për ty të jesh pjesë e historisë së Kombëtares?

– E vështirë ta përshkruaj të them të drejtën. Ne realisht  gjithmonë kur na takon dikush në Tiranë apo jashtë, na shohin si legjenda. Gjë që mua nuk më pëlqen sepse për mua është e tepërt. Fakti që kam qenë pjesë e asaj skuadre, historisë është një krenari e madhe për ne të gjithë. Jam shumë krenar që kam qenë pjesë e asaj skuadre në ato momente.

– Cilën vlerë nuk duhet të humbasë kurrë fanella kuqezi?

– Besoj e para është sakrifica. Pastaj vjen disiplina. Ne kemi bëre sakrificë. Kushtet që kemi pasur, jo se kanë qenë katastrofë, por kanë qenë më ndryshe se sot.

– Me çfarë po merresh aktualisht?

– Punoj tek ekipi i Lausanne në Zvicër. Jam bashkëpunëtor në stafin e skuadrës së parë. Po ashtu, kam një rol dopio edhe te skuadra U-21. Bashkëpunoj me të dyja ekipet, punoj me të dyja dhe i përgatisim stërvitjet dhe ndeshjet bashkë.

– I ke zhvilluar të gjitha licencat e kurseve të UEFA-s për trajner në Shqipëri. Si e vlerëson nivelin jo vetëm të lektorëve, por në tërësi të kursit nga UEFA B tek UEFA Pro tani.

– Unë e kam nisur nga kursi UEFA B, pastaj A dhe tani PRO. Është rritur shumë edhe vlera e instruktorëve. Tani kam fatin që marr leksione nga Alban Tafaj dhe Sulejman Starova që janë këtu. Përveç futbollit, mësojmë edhe për tema të tjera si psikologu i sportit, komunikimi etj. Të gjithë instruktorët janë me vlera shumë të mëdha dhe është diçka që na ndihmon ne në të ardhmen.

– Kush ta ka vënë emrin?

– Emrin ma ka lënë xhaxhai, i cili sot fatkeqësisht nuk jeton më.

– Debutimi yt me Kombëtaren — emocion apo presion?

– Emocion.

– Një fjalë që përshkruan fanellën kuqezi?

– Sakrificë.

– Trajneri që të ka ndikuar më shumë te Kombëtarja?

– De Biasi.

– Shoku i skuadrës me të cilin u lidhe më shumë?

– E vështirë sepse kam lidhje të mira me të gjithë. Por marrëdhënie më shumë vitet e fundit kam pasur me Berishën, Canën, Mavrajn.

– Ndeshja që do ta riluaje edhe një herë?

– Me Italinë. Humbja në Shkodër.

– Ndeshja ku ke ndjerë më shumë mbështetjen e tifozëve?

– Me Rumaninë në Europian.

– Kombëtarja sot: më e fortë apo më e pjekur?

– Më e fortë.

– Çfarë nuk duhet të mungojë kurrë te një lojtar i Kombëtares?

– Këmbëngulja.

– Në një fjali: çfarë është Kombëtarja për Migjen Bashën?

– Është shtëpia ime.