Deputeti demokrat Tritan Shehu, përmes një postimi në rrjetin e tij facebook, ka reagur ashpër lidhur me listën e re të çmimit të barnave.
Reagimi i Shehut
Lista e re e çmimeve të barnave synon të mbulojë kolapsin financiar të ISKSh-së duke rritur ndjeshëm praninë e medikamenteve me origjinë jo të sigurt për qytetarët.
Ulja e çmimeve për barnat patente dhe ato të kompanive serioze, pa negocim dhe pa transparencë, po i largon nga tregu medikamentet e sigurta, të certifikuara nga EMA dhe FDA, që qarkullojnë në vendet e BE-së.
Në vend të tyre, qytetarëve po u ofrohen gjithnjë e më shumë medikamente me origjinë të pasigurt, pa certifikime ndërkombëtare, të cilat nuk lejohen të qarkullojnë as në BE dhe as në Kosovë.
Medikamentet nuk janë mallra të zakonshme. Parametri kryesor i tyre është efektiviteti klinik dhe siguria, të garantuara vetëm përmes certifikimeve ndërkombëtare, për Europën nga EMA.
Kolapsi financiar i ISKSh-së nuk mund të korrigjohet duke rrënuar më tej sigurinë medikamentoze dhe duke vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Sot fondi i rimbursimit mbetet rreth 100 milion euro, duke detyruar qytetarët të paguajnë rreth 60% nga xhepi, ndërkohë që në BE kjo barrë është rreth 10%.
Amendamentet qe paraqita për rritjen e buxhetit të shëndetësisë dhe rikthimin e detyrimit ligjor për certifikim EMA/FDA u rrëzuan, duke shtuar zbrazjen e listës së rimbursimit nga barnat e sigurta dhe mbushjen e saj me “fake drugs”, te importit e prodhimit vendas.
Kjo politikë dëmton shëndetin publik, ushqen korrupsionin.