Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në eventin e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, ku u prezantuan rezultatet e arritura nga Programi Kombëtar i Praktikave të Punës për studentët e ekselencës.
Rama vlerësoi suksesin e këtij programi që ka siguruar punësimin përfundimtar të 1600 individëve, duke u shprehur i bindur se këta të rinj do të kenë mundësinë të drejtojnë në të ardhmen sektorë të rëndësishëm të administratës publike.
Po ashtu, ai njoftoi edhe një projekt të ri me Komisionin Evropian për të ofruar mbështetje rinore përmes trajnimeve dhe mundësive punësimi.
“Ky program ka punësuar në mënyrë përfundimtare rreth 1600 persona. Po të kesh parasysh se administrata publike është një trupë jo shumë e madhe, këto numra nuk janë pak. Por ajo që i bën këto numra më të rëndësishëm akoma është se janë 1600 burime njerëzore që kanë potencialin të jenë nesër drejtuesit e sektorëve, departamenteve e drejtorive.”









