Përderisa investimet e mëdha të Kinës po vihen nën vëzhgim në mbarë Evropën, Pekini po i drejtohet një forme më të butë ndikimi në Ballkan: bursa, shkëmbime universitare dhe studentë të rinj që ndajnë jetën në Kinë me audiencat në vendet e tyre.
Kjo përfshin mundësi studimi të financuara nga Kina, e cila ofron bursa për shkollim, pagesa mujore dhe qasje në universitete me rritje të shpejtë. Shumë prej këtyre studentëve kanë ndarë, gjithashtu, përvojat e tyre në rrjetet sociale, ku kanë një numër të konsideruar ndjekësish, ndërsa të tjerë janë paraqitur në media ose në institucione zyrtare kineze.
“Aplikova për qejf [në kursin e gjuhës kineze], ngaqë ishte një gjuhë e re që nuk e kam mësuar asnjëherë”, i tha Radios Evropa e Lirë (REL), Era Kërnaja, një 24-vjeçare nga veriu i Shqipërisë që tani studion shkenca kompjuterike në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë Kunming, në provincën Yunnan të Kinës.
“Nëse dikush do ta ma bënte një pyetje para tre vjetësh, unë do të thosha që Kina është komunizëm, vend i mbyllur, kaq. Por, tani më ka ndryshuar [mendimi] 360 shkallë”, tha ajo.
Derisa Pekini njihet më së shumti në rajon për projekte infrastrukturore në vlera miliarda dollarëshe, kredi dhe partneritete teknologjike, arsimi është shfaqur si një kanal më i butë përmes të cilit Kina po i formëson perceptimet.
Kjo është veçanërisht e theksuar te brezat më të rinj, për të cilët sondazhet tregojnë se janë më të hapur ndaj portretizimit që Pekini i bën vetes si një fuqi e mirë dhe e përgjegjshme.
“Doja t’ua ndryshoja mendimin që kanë shqiptarët për Kinën dhe t’ju tregoja që mos besoni në çdo gjë që shikoni”, tha Kërnaja, e cila që nga viti 2023 – kur nisi të jetonte në Kinë – ka filluar të postojë për përvojën e saj në llogarinë e saj në TikTok dhe tani ka më shumë se 8 mijë ndjekës.( REL)









