Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, së bashku me deputetë të tjerë demokratë, morën pjesë në Konferencën e Sigurisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u zhvilluan diskutime të nivelit të lartë me kongresmenë amerikanë dhe përfaqësues nga Ballkani Perëndimor mbi sfidat e reja të sigurisë në një kontekst global gjithnjë e më të ndërlikuar.
Tabaku nënvizoi se Shqipëria, fatkeqësisht, ka bërë hapa pas në këto drejtime vitet e fundit, ndërkohë që këto fusha lidhen drejtpërdrejt me angazhimet e vendit ndaj NATO-s dhe me besueshmërinë e saj si partnere strategjike.
Ajo theksoi rëndësinë jetike që vendi të ketë mekanizma të fortë për kontrollin e parasë që qarkullon në ekonomi dhe për orientimin e investimeve drejt burimeve perëndimore, duke shmangur çdo kompromis që mund të cënojë sigurinë kombëtare.
Duke iu referuar atyre që ajo i cilëson si “skandale me sigurinë e të dhënave personale dhe infiltrimin e rrjeteve kriminale”, Tabaku paralajmëroi se këto zhvillime dëmtojnë rëndë imazhin e Shqipërisë dhe rrezikojnë marrëdhënien afatgjatë të partneritetit me aleatët, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në përmbyllje, ajo bëri të ditur se nga të gjithë pjesëmarrësit e forumit u përcoll një thirrje e fortë dhe e qartë për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, një mesazh që, sipas saj, vjen fuqishëm si nga administrata amerikane ashtu edhe nga Kongresi amerikan.









