Teksa Kuvendi pritet të miratojë Amnistinë Penale të propozuar nga qeveria, ILD ka konstatuar disa shkelje të bëra në vitin 2024.
Sipas ILD-së, nga të dhënat e administruara pranë gjykatave, prokurorive dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, si dhe nga informacionet e publikuara në media, rezulton se ligji i amnistisë nuk është zbatuar në mënyrë të njëtrajtshme dhe efektive, duke cenuar të drejtat e të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Më konkretisht, sipas ILD, nga verifikimi u evidentua konfuzion në interpretimin e ligjit, mosnxjerrje në kohë të urdhrave të ekzekutimit, vonesa në përcjelljen e vendimeve të formës së prerë dhe mospërputhje të datave në dokumentacionin zyrtar.
“Në përfundim të këtij verifikimi u konstatuan disa problematika: Konfuzion në interpretimin e dispozitave që lidhen me fillimin e ekzekutimit nga ana e prokurorit; Mosveprim i menjëhershëm pas administrimit të vendimit të shkurtuar, për nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit;Mënyra të ndryshme të të kuptuarit dhe të zbatuarit të dispozitave procedurale penale mbi shpalljen e vendimit të përmbledhur nga gjykatat; Konstatim i diferencës kohore midis datës së vendimit të formës së prerë dhe përcjelljes së tij;
Mospërputhje e datës së hyrjes së vendimit në sekretarinë e prokurorisë me datën e marrjes në dorëzim nga prokurori si dhe datën e shkresës përcjellëse të këtij urdhri; Mos pasqyrim në librat e brendshëm të dorëzimit, të datës së marrjes në administrim nga prokurori i ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore të formës së prerë të përcjella dhe të protokolluara.”, thuhet në reagim.









