-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ilir Kalemaj: Paradokse të kthyera në paradigma të rreme

Kryesoret

Shpesh rastis në biseda me të huaj, të njohësh elementë të shoqërisë dhe jetës sonë së përditshme që, ngaqë ndoshta jemi mësuar dhe jetojmë rëndom me to, kanë pushuar së na bëri përshtypje, ose pse jo, na duken edhe normale. Herë të tjera, nuk mund të mos vë re, jo pa trishtim, sesi ne shqiptarët nuk kemi hequr dorë nga zakoni i vjetër i “qarjes së gjithë halleve” të huajit të parë që na del përpara, duke u rrekur t’i mbushim mendjen se jemi vend unikal për sa i përket gjithë të këqijave të globit, duke futur në një thes mbrapshtësinë e politikës (duke përfshirë gjithë politikanët pa dallim), shoqërinë dhe madje edhe gjenetikën tonë të “mbrapshtë”. Shpesh ndodh që edhe këta të huaj, sidomos ata që merren me sondazhe apo lëvrojnë publicistikën, t’i marrin dhe t’i botojnë raporte pas raportesh që na nxjerrin diku aty mes Malawit dhe Zambias, siç ishte sondazhi i fundit i Gallup, ku rreth 58 përqind e popullatës liston problemet ekonomike si problemin kryesor të vendit. Natyrisht, e përkthyer edhe si valë emigratore dhe bombë demografike, veçanërisht te të rinjtë, ku mungon një e katërta e tyre, te shtresa e arsimuar dhe te talentet dhe aftësitë.

Jo se ne nuk kemi kusuret tona, madje ndoshta edhe me tepri; jo se nuk shfaqen edhe fenomene që janë të rralla edhe për standarde ballkanike; jo se është gjithmonë faji i krerëve që zgjedhim dhe që rrallëherë, për të mos thënë asnjëherë, kanë cilësitë më të mira të atyre që drejtojnë; por nuk ka sesi të mos kuptosh që është e nevojshme, madje imperative, që gjithmonë duhen bërë diferencime dhe, për më tepër, të kuptuarit që nuk jemi një ishull i veçuar apo një fenomen i një lloji krejt të veçantë i këtij skaji të globit. Ka gjithmonë vend për krahasime dhe ka gjithnjë vend për të gjetur të përbashkëtat, ashtu sikundër ka edhe për diferencim, kur lyp nevoja.

Për shembull, nuk ka sesi të mos ndjesh një lloj trishtimi kur, në bisedë me një grup miqsh të huaj, të tregojnë që Bosnje-Hercegovina, apo Republika e Kosovës dhe Mali i Zi, duken më evropiane në marrëdhëniet e qytetarit me administratën publike, respektimin e institucioneve apo edhe thjesht zbatimin e rregullave të përgjithshme qytetare sesa vendi ynë. Me përjashtim të Tiranës, është tepër vështirë, për të mos thënë e pamundur, të gjesh një copëz Evropë në pjesë të tjera të vendit. Apo kur të krahasojnë me Maqedoninë e Veriut, rrugët e së cilës janë ku e ku më të mira se këto tonat që nuk përfundojnë kurrë, ku për pak mijëra kilometra katrorë të duhet kaq shumë kohë, amortizim makine, bllokime rrugësh të pa bitisura që përfundojnë me radhë kilometrike dhe naftë e shtrenjtë sa të heq çdolloj dëshire për eksplorim dhe ku, jo pa faj, shqiptarët dynden plazheve të Turqisë, Kroacisë apo Malit të Zi, apo shkojnë të bëjnë ski në Maqedoninë fqinje.

Nuk ka pra sesi të mos ndjehesh ligsht kur, pas reflektimeve të kësaj natyre, të mos të shkojë mendja sesi ka mundësi që federata tri-kokëshe e Bosnjës, e përçarë, me probleme të thella etnike dhe prirje edhe për separatizëm formal (përveçse të materializuar tashmë) të Republikës Srpska, të duket më evropiane se vendi yt. Apo Mali i Zi, ku nuk rresht debati për gjuhën dhe identitetin dhe ka një krizë politike gati perpetuale. Apo Maqedonia e Veriut, për të cilën ende diskutohet nëse ka një shtet të pakontestuar nga Bullgaria apo jo dhe me probleme të shumta etnike etj., janë ku e ke më të papenguar lëvizjen e lirë drejt vendeve evropiane sesa shqiptarët fatkeqë, të cilët me stoicizëm vazhdojnë të qëndrojnë në krye të listës së popujve më pro-Evropë, pro-Amerikë, pro-NATO, pro-civilizim perëndimor, pro-gjithçkaje që për ta nënkupton progresin, racionalitetin, prosperitetin dhe vlerat.

Përse atëherë ky fat i keq? A mos ndoshta gjenetikisht jemi një popull që nuk bëhet, që na mungon aftësia shtetformuese, apo që bëjmë gjithnjë zgjedhje të gabuara, të prirur nga një patologji që na e bën të nevojshme dëshirën për t’u gënjyer? Ndoshta atëherë është i vërtetë ai mallkimi leninian që “çdo popull ka qeverisjen që meriton”. Por nuk ka sesi të mos reflektosh edhe për faktin që shqiptarët, në këto 35 vite demokraci, kanë votuar thuajse gjithmonë për alternativën më të mirë, apo e thënë ndryshe, të keqen më të vogël. Si në rastin kur votuan ndryshimin e madh në ’91-shin për t’u shkëputur në mënyrë përfundimtare dhe deçizive nga e kaluara komuniste; si në 1997-ën, kur u rikthyem në pikën zero për shkak të kolapsit të institucioneve dhe zgjedhjeve si në kushte lufte; si me deformimin e Dushkut në 2001-shin, që prodhoi një korrupsion kapilar; ashtu edhe kur votuan ndryshimin në 2005-ën, të lodhur nga korrupsioni; ashtu edhe në 2013-ën, kur votuan për një rotacion pushteti me premtimet për drejtësi shoqërore dhe barazi socio-ekonomike, që ngadalë u shkrinë si kripa në ujë, derisa erdhëm në mandatin e katërt, ku nuk ka ngelur asnjë gjurmë nga ai i pari, as në përbërje ekipore, as në ndonjë filiz ideologjik, as në premtime të mbajtura. Por, përkundrazi, në Republikën e Skandalokracisë asgjë nuk bën më përshtypje dhe çdo gjë është e lejueshme.

E njëjta trajektore analitike mund të ndiqet edhe në një analizë të ngjashme të zgjedhjeve lokale, të cilat janë deformuar edhe nga salamandra elektorale që prodhoi reforma e 2014-ës, e cila as nuk uli kostot operative dhe numrin e punonjësve për bashki, por përkundrazi i shtoi ato, duke ulur njëkohësisht eficiencën dhe arritjen e shërbimeve te qytetarët; pra, me një fjalë, dështoi. Pra, mund të deduktohet që elektorati realisht ka qenë i kufizuar në zgjedhje, për të mos folur pastaj për deformimet rutinë të rezultateve zgjedhore si një atentat i përhershëm ndaj demokracisë. Problemi, më tepër sesa te shqiptarët, është te mundësitë e pakta që u janë ofruar, mungesa e alternativave, shpërdorimi i besimit të tyre që ata e kanë shfaqur në kutitë e votimit, neglizhenca që iu është bërë pas fushate nga ana e të zgjedhurve dhe pamundësia për t’i detyruar të zgjedhurit e vet që të mbajnë premtimet, përveç mjeteve të limituara, nga të cilat ai i medias (asaj të lirë dhe jo të kapur) është për t’u veçuar dhe theksuar më fort.

Edhe qenia jonë si një ishull i veçuar, edhe në kontekstin ballkanik, një fenomen sui generis që u mbijeton ndryshimeve që ndodhin rreth e rrotull nesh, është kthyer tashmë në një mit, pasi shpesh është thjesht çështje perceptimi dhe klima armiqësore e klasës politike, antagoniste dhe e fragmentizuar, kurthet elektorale apo “kapja e shtetit” nuk mund të jenë përfaqësues të asaj që na bën të ndryshëm nga të tjerët. Përkundrazi, edhe në ato raste ku diferencohemi nga të tjerët, si shkalla e individualizmit dhe mentalitetit perëndimor, sekularizmi dhe toleranca fetare, respektimi dhe mikpritja e të huajit apo fenomene të ngjashme, jemi modele pozitive që kanë pak të bëjnë me deformimet e klasës politike. Me fjalë të tjera, pak apo aspak i meritojmë epitetet e tmerrshme me të cilat shpeshherë na referojnë, apo edhe rëndom i referohemi njëri-tjetrit, shpesh të nxitur nga një dëshirë e fshehur mazokiste që vjen si rrjedhojë logjike e një diskursi të kapur në një rreth vicioz, ku ne shajmë dhe shfryjmë, ndërkombëtarët përpilojnë raporte bazuar në këto shfryrje dhe këto pastaj na përsëriten mbrapsht si citatet e Maos, pikërisht nga elita sunduese. Dhe ky është një nga paradokset e kthyera në paradigmë që na pengon të shohim përtej konstatimit, përtej zgjidhjeve dhe mendimit konstruktiv, përtej debatit kritik por jo nihilist dhe përtej pamundësisë për të ndryshuar, që tashmë është kthyer jo më thjesht në nevojë, por në domosdoshmëri.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit