Arsyen për të shkruar këto radhë ma dha një monolog i kryeministrit në podcastin e tij dy ditë më parë lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të lënë në fuqi pezullimin e zëvendëskryeministres Balluku.
Një reagim nervoz, i papërgjegjshëm dhe i padenjë për një kryeministër. Një fyerje për anëtarët e Gjykatës më të lartë të vendit, të cilëve kryeministri, me gjuhën e tij të ndikuar nga leximet letrare, u thotë se u mbytën “me lugën e ujit të turbullt të tyre që Servantesi…te Don Kishoti…i quan arsyet e Mosarsyes”! Një gjuhë e ngjashme me atë të DJT, por më e kultivuar, sepse përmban Servantesin!
Kryeministri qahet se me pezullimin e znj. Balluku në është cenuar pavarësia e pushtetit ekzekutiv dhe “me një vendim të një prokurori dhe një gjykatësi është marrë peng qeveria e Shqipërisë”. Në fakt, pushtetit ekzekutiv që ai drejton nuk i është cenuar asnjë prerogativë në ushtrimin e autoritetit, të funksioneve dhe të përgjegjësive të tij. Ka ndodhur thjesht kjo: për arsye të argumentuara ligjore, është pezulluar nga detyra një anëtare e kabinetit qeveritar nën procedim penal, të cilën, fare lehtë, kryeministri mund ta zëvendësojë me një individ tjetër. Me këdo individ tjetër, të cilin ai e vlerëson si të përshtatshëm për atë detyrë. Dhe të pa korruptuar.
Sepse askush nuk është i pazëvendësueshëm në detyrën që kryen. As vetë z. Kryeministër. Zëvendësimet e ministrave e të zëvendëskryeministrave në kabinetet qeveritarë që z. Rama ka drejtuar qysh nga viti 2013 kanë qenë një gjë krejt e zakonshme. Përse sot kjo i duket e panatyrshme, madje një gjëmë që po bie mbi qeverinë e tij?
Çfarë e bëjnë “të pazëvendësueshme” znj. Balluku si zëvendëskryeministre, të themi nga të tjerë individë, si Niko Peleshi, Senida Mesi, Erion Braçe apo Arben Ahmetaj që e kanë mbajtur atë post me z. Rama kryeministër? Devotshmëria ndaj programit të Partisë Socialiste? Aftësitë intelektuale? Kredencialet akademike? Përvoja profesionale? Apo janë arsye të tjera, interesa ekstra politike dhe ekstra profesionale?
Pezullimi nga detyra e një anëtari qeverie nuk është një “çartje demokratike”, siç e cilëson kryeministri këtë vendim të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Demokracisë nuk i vjen asnjë e keqe nga pezullimi i një ministri në detyrë. E keqja demokracisë do i vinte nëse ministra të korruptuar, ose që janë nën hetim penal për shkelje të ligjeve mbeten në detyrë dhe nëse ata i mbron kreu i qeverisë, siç bën sot z. Rama, në vend që, si kryeministër, t’u kërkojë të japin dorëheqjen, ose t’i shkarkojë e t’i zëvendësojë me ministra të tjerë.
GJKKO nuk kërkon—as synon dhe as mundet—të ushtrojë prerogativat e pushtetit ekzekutiv dhe as të marrë përgjegjësitë e tij. Z. Kryeministër e di fare mirë këtë, por, në këtë rast, i intereson të thotë të kundërtën. Ai nuk mbron thjesht znj. Balluku. Në rrethana të tjera emri i saj nuk do i interesonte aspak. Me këtë, kryeministri kërkon të mbrojë paprekshmërinë nga ligji të individëve që punojnë nën të dhe për të, përfshirë edhe veten e tij. Deri më sot, ai nuk ka marrë nën mbrojtje asnjë prej ministrave të tij të korruptuar, por i ka lënë ata të përballen individualisht me drejtësinë.
Përse këtë herë një tjetër standard? Çfarë ka ndryshuar? Çfarë e shqetëson? Balanca e pushteteve? Fatet e shtetit ligjor në Shqipëri? Të drejtat e individit? Ardhmëria e reformës në drejtësi, për të cilën, tërë këto vite kryeministri i ka rënë gjoksit si të ishte një vepër personale e tij, meritë vetëm e tij dhe e askujt tjetër, ndërsa sot e quan “zhbërje të kësaj shpikjeje 100% ‘Made in Albania’?
Çfarëdo shqetësimi që mund të ketë dhe çfarëdo argumenti që mund të sjellë, Kryeministri nuk mund t’i zhbëjë dot, ose t’i injorojë dy parime fare të thjeshta, por thelbësore për çdo demokraci. Ata janë themeli dhe substanca e shtetit ligjor dhe e çdo forme demokratike qeverisjeje.
- Kur Mbreti John i Anglisë nënshkroi, më 1215, dokumentin e njohur si “Magna Carta”, i pari dokument madhor në historinë politike e juridike, me të cilin garantohen liritë për të gjithë “free men”, ai pranoi se edhe vetë ai, pra mbreti, duhet t’i nënshtrohet ligjit dhe nuk është mbi të. Para ligjit jemi të gjithë të barabartë. Nga kjo pikëpamje, asnjë argument “legalist” nuk do të duhej ta pengonte drejtësinë të bëjë punën e vet me çdo person që shkel ligjim. Çfarë nuk kupton z. Kryeministër nga kjo traditë ligjore mbi 800 vjeçare që ka shërbyer e shërben si garanci kushtetuese themelore kundër arbitraritetit shtetëror?
Shqetësimi i Kryeministrit se me këtë “brutalitet të legjitimuar” të pushtetit gjyqësor mund të pezullohet nga detyra edhe vetë Presidenti i Republikës (ai nuk thotë kryeministri, por presidenti) “nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë” nuk meriton të quhet as një argument sofist e jo më të merret seriozisht. Ah, nëse edhe presidenti i vendit shkel ligjin, siç përcaktohet në Kushtetutë, ose nëse vetë kryeministri apo çdo ministër i kabinetit të tij dhe cilido anëtar i parlamentit shkelin ligjin, para të cilit, njëlloj si unë dhe si çdo qytetar i kësaj republike jemi të barabartë, atëherë po, për të lejuar drejtësinë të ushtrojë misionin e saj, pa u intimiduar dhe pa u rrezikuar prishja e provave gjatë hetimit, pezullimi nga detyra do të ishte tërësisht e legjitimuar.
Dhe ky nuk është një “budallallëk botëror” ala shqiptar, siç e quan kryeministri. Diella, ose këshilltarët e tij—nëse ka të tillë dhe nëse i dëgjon ata—mund ta instruktonin z. Kryeministër se, në teorinë kushtetuese, argumentet pro ndërhyrjes së gjykatave për pezullimin e zyrtarëve të lartë nëse këta, nën procedim penal, për shkak të funksionit, kontrollojnë dokumente, ndikojnë mbi administratën dhe mund të intimidojnë dëshmitarët, si dhe për shkak të parimit të barazisë para ligjit, nuk konsiderohen marrëzi, ose budallallëk.
Në praktikë, ç’po ndodh me znj. Balluku nuk është një marrëzi eksepsionale shqiptare. Më 2016 Gjykata e Lartë e Brazilit pezulloi kryetarin e Dhomës së Deputetëve (i treti në hierarkinë shtetërore të atij vendi) për dyshime se po ndërhynte në hetimet penale kundër tij. Edhe legjislacioni italian lejon masa që pezullojnë zyrtarë të lartë për të parandaluar ndikimin mbi provat ose mbi dëshmitarët. Pjesërisht kjo ndodh edhe në vende të tjera të BE-së—në Francë, Spanjë, Belgjikë—ku mund të ndalohet ushtrimi i funksioneve publike me qëllim mbrojtjen e hetimeve. Vendet e BE-së, me tradita kushtetuese të ndryshme, nuk kanë një qëndrim të përbashkët mbi këtë çështje.
Sigurisht, në teorinë kushtetuese argumentohet edhe një parim dhe qëndrim i kundërt me të parin, që merr parasysh mandatin politik të ministrave dhe rrezikun që prokuroria dhe gjykatat të bëhen aktorë politikë e të ndikojnë mbi qeverisjen.
Por, kjo dilemë teorike thelbësore mes dy parimeve—parimit të shtetit ligjor, sipas të cilit gjykata mund të ndalojë çdo zyrtar, dhe parimit të demokracisë përfaqësuese, sipas të cilit politikën e ushtron dhe e kontrollon qeveria—merr zgjidhje konkrete në kushte e në kontekste politike të caktuar.
Kjo nënkupton, ndër të tjera, edhe një kulturë politike e juridike demokratike, që tek ne vijon të mungojë, ose të jetë e cunguar. Në asnjë vend të Bashkimit Europian, që zotit Kryeministër i pëlqen ta marrë si shembull, nuk ndodh që një ministër, i akuzuar për shkelje ligjore edhe më pak serioze se znj. Balluku, të mos japë dorëheqjen. Dorëheqja e bën të panevojshëm pezullimin nga detyra. Është kaq e thjeshtë.
Në Suedi, në Danimarkë apo në Finlandë, shumë ministra kanë dhënë dorëheqje nën presion politik kur kanë shpërthyer skandale për keqpërdorim të fondeve publike ose konflikte interesi. Përgjegjësia politike në shkallë të lartë e ministrave në këta vende, transparenca dhe llogaridhënia i bën të panevojshme pezullimet ose shkarkimet nga detyra përmes gjykatave.
Nëse z. Rama nuk ka dëgjuar për skandalin e famshëm “Toblerone” në Suedi, ia shpjegoj më poshtë me pak fjalë. Në vitin 1995, Mona Sahlin, në atë kohë zëvendëskryeministre dhe ministre e Punësimit, u zbulua se kishte përdorur një kartë krediti qeveritare për shpenzime private (përfshirë edhe blerjen e një çokollate Toblerone, për shkak të së cilës skandali mori simbolikisht këtë emër). Ngjarja ishte tronditëse për opinionin publik suedez, edhe pse bëhej fjalë për rreth vetëm 7,000 USD, jo për dhjetëra apo qindra milionë) të shpenzuar me atë kartë dhe shkaktoi një skandal të madh politik. Fill pas kësaj ngjarjeje, Mona Sahlin e tërhoqi kandidaturën për të pasuar Kryeministrin Ingvar Carlsson në krye të qeverisë suedeze dhe dha dorëheqjen nga posti i saj zëvendësministre dhe ministre.
Shembuj të tjerë: Vitin e kaluar, në Greqinë fqinje, ministri i Migracionit dhe tre zëvendësministra dhanë dorëheqjen pas akuzave për korrupsion në keqmenaxhimin e subvencioneve bujqësore të BE-së. Në BE, skandalet e korrupsionit kanë çuar më se një herë në dorëheqje të zyrtarëve të profilit të lartë, si në nivel kombëtar, ashtu edhe brenda institucioneve të BE-së.
Të paktë janë ata që e kujtojnë sot ngjarjen tronditëse në Komunitetin Europian (sot BE) në vitin 1999, kur i tërë Komisioni Europian (Santer Commission) dha dorëheqjen pas akuzave për mashtrim, nepotizëm dhe keqmenaxhim.
Dhe z. Rama flet për “budallallëqe botërore” ala shqiptare! Sa larg mentalitetit modern europian është mentaliteti i tij ballkanik. Suedezët na japin shembullin e zëvendëskryeministres së tyre Mona Sahlin; ne u japim atyre dhe Europës shembullin e zëvendëskryeministres sonë BB. Dhe të një kryeministri që e mbron atë!
Edhe një shembull nga një vend i jashtë kontinentit tonë. Në vitin 2010, ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Yu Myung-hwan, dha dorëheqjen pas një skandali nepotizmi, pasi vajza e tij u punësua në ministrinë e jashtme të atij vendi edhe ose ajo kishte dështuar në procesin e rekrutimit. Ky rast u vlerësua nga publiku koreanojugor si një abuzim me pushtetin që dëmton besimin e qytetarëve ndaj tij.
E përfytyronin dot që diçka e ngjashme të ndodhë në Shqipëri? Le të themi se këtë pyetje ia bëj zotit Kryeministër.
- Ka edhe një arsye tjetër, e cila, politikisht dhe moralisht, e bën të pajustifikueshëm qëndrimin e Kryeministrit Rama. Nëse ai—dhe, nën presionin e tij, shumica e grupit parlamentar të PS-së—këmbëngul për të mos ia hequr mandatin e deputetes znj. Balluku, siç kërkon Prokuroria Speciale, kryeministri dhe socialistët (e listave të tij) në parlament kolektivisht marrin në mbrojtje një individ që nuk meriton të jetë në atë parlament dhe kolektivisht mbajnë përgjegjësi politike e morale për këtë veprim. Populli i voton (pa i zgjedhur realisht) deputetët në Parlamentin e vendit që këta të përfaqësojnë dhe të mbrojnë interesat e tyre, jo që t’i vjedhin ata.
A ka nevojë për më shumë shpjegim kjo që sapo thashë?
Kryeministri thotë se do e vazhdojë këtë betejë. Betejë me kë? Betejë përse? Betejë me organet e drejtësisë? Betejë me gjysmën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese? Betejë për të penguar zbatimin e ligjit njëlloj të barabartë për këdo? Betejë për të mbrojtur korrupsionin dhe të korruptuarit? Kështu e do kryeministri reformën në sistemin e drejtësisë? Të varur nga ekzekutivi, jo të pavarur?
Edhe diçka e fundit, si një post scriptum, pasi më ka bërë me kohë përshtypje dhe më ka lënë një shije jo të mirë. Edhe këtë herë, në monologun e tij në podcast, Kryeministri nuk mungoi të deklarojë, me një fodullëk dhe narcizëm të pashoq, se “lufta për drejtësi, për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumica qeverisëse. Kaq e thjeshtë është”.
Me një gjuhë të tillë nuk do të flisnin as Schuman, Monnet, Adenauer apo De Gasperi.
Nëse me Kryeministrin Rama dhe vetëm për shkak (ose për meritë) të tij, dhe me këtë shumicë qeverisëse që ai drejton, do të anëtarësohemi në BE brenda afatit që Kryeministri u ka premtuar shqiptarëve dhe kjo është “kaq e thjeshtë”, a do të mbajë ai vetë dhe qeverisja e tij përgjegjësi nëse kjo nuk ndodh, apo, në atë rast, kryeministri do ia lejë dështimin në derë BE-së si një fëmijë jetim?
Sepse, edhe kjo, është po “kaq e thjeshtë”.









