-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Aeroporti i Kukësit, lidhet kontrata për studimin e fizibilitetit dhe trafikun ajror

Kryesoret

Aeroporti i Kukësit do të jetë në fokus të një studimi fizibiliteti dhe të trafikut ajror për llogari të kompanisë shtetërore të menaxhimit të trafikut ajror.

Albcontrol lidhi së fundmi kontratën me objekt “Studimi i Fizibilitetit për Infrastrukturën e Trafikut Ajror në Aeroportin e Kukësit” pas një procedure të çelur në shtator të vitit të kaluar dhe të mbyllur në fund të tetorit 2025. Vlera e kontratës llogaritet në rreth 162 mijë euro teksa kompania që do të kryejë këtë proces është DFS Aviation Services GmbH me qendër në Langen Gjermani.

Aktualisht Aeroporti i Kukësit është pjesë e një kontrate koncesionare por që prej disa kohësh nga ky aeroport nuk kryhen fluturime ndërkohë që kontrata në fjalë ka për qëllim që të ofrojë të dhëna për Albcontrol dhe nuk është e lidhur me koncesionarin.

Referuar dokumenteve të bëra publike gjatë fazës së prokurimit të studimit nënvizohet se studimi i fizibilitetit për infrastrukturën e ofrimit të Shërbimeve të Trafikut Ajror (ATS) në Aeroportin e Kukësit përfshin identifikimin e strategjisë më të përshtatshme.

“Kjo përfshin përcaktimin e objektivave të dëshiruara, fushës së veprimit dhe horizontit kohor. Këto parakushte të rëndësishme për të gjithë hapat e mëtejshëm të projektit përmblidhen në një dokument të vetëm strategjik.

Përgatitja e një strategjie themelore mund të adresojë pyetje kyçe si: Cila qasje do të rezultojë në kursime të kostove? A mund të arrihet harmonizimi teknik i sistemeve të Menaxhimit të Trafikut Ajror (ATM)? A është e mundur të ofrohen shërbime të kontrollit të trafikut ajror në mënyrë efektive nga një qendër e vetme ku mund të integrohen kullat e së ardhmes?” thuhet në dokumente.

Ndërkohë sipas Albcontrol me një strategji të përshtatshme, shumë pyetje themelore mund të marrin përgjigje efektive.

Sipas këtij të fundit është kritike që të vlerësohet konfigurimi i duhur, duke marrë në konsideratë skenarët e mëposhtëm:

Ndërtimi i një kulle betoni në Kukës;
Blerja ose marrja me qira e një Kulle të Lëvizshme;
Blerja e një Kulle të Largët (Remote Tower) për Aeroportin e Kukësit;
Ndërtimi i një Qendre të Kontrollit të Largët (RTC) me mundësinë për të akomoduar disa aeroporte, nga pista të vogla AFIS deri te mundësia e shfrytëzimit si qendër emergjence për Kullën ATC të Aeroportit të Tiranës dhe asaj të Vlorës.
“Një strategji e përshtatshme duhet të jetë e qëndrueshme për të ardhmen dhe e përshtatur me kushtet lokale, duke marrë parasysh kohën dhe vizionin për zhvillimin e aeroportit, me fokus kryesor në strategjinë për Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit” thuhet në dokumente.

Koncesioni i aeroportit të Kukësit

Në mars të vitit 2019 Këshilli i Ministrave miratoi kontratën koncesionare për Aeroportin e Kukësit. Procedura e tenderimit u krye në dhjetor të vitit 2018 dhe fitues doli bashkimi i përkohshëm i kompanive Global Technical Mechanics sh.p.k (tashmë zotëron 100% të aksioneve) dhe Bami sh.p.k. Kohëzgjatja e koncesionit është 35 vite. Vlera e rehabilitimit ishte rreth 8 milionë euro./ Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit