Sot ishte dita e dytë e shpalosjes së deklaratave përmbyllëse në rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se familjarët e viktimave kanë jetuar në pasiguri, pasi disa prej tyre nuk kishin informacione se të afërmit e tyre nuk jetonin më.
“Mungesa e informacioneve u jepte atyre shpresë”, tha ai.
Ai, duke cituar disa dëshmitarë, tregoi për përjetimet e familjarëve të viktimave. Laws përmendi dëshminë e një gruaje që humbi bashkëshortin dhe për 25 vjet nuk kishte pasur asnjë provë për vdekjen e tij.
“Kjo ka qenë një torturë e vërtetë”, kishte dëshmuar ajo.
Laws po ashtu foli për vrasjet, që pretendoi se janë kryer nga UÇK-ja. Mbrojtësi i viktimave tha se “këto janë vrasje që janë injoruar, mbuluar dhe fshehur. Sigurisht, UÇK-ja është dashur të ndërmarrë hapa për hetimin, ndjekjen penale të tyre”, tha Laws.
Disa nga viktimat, pretendoi Laws, kanë heshtur për humbjen e të afërmve të tyre nga frika se e njëjta gjë mund t’iu ndodhë atyre.
Mbrojtësi i viktimave, Simone Laws, tha se anëtarët e UÇK-së kanë kryer krime, por kjo “nuk e bën atë organizatë kriminale”.
Në fjalën e tij para Gjykatës, Laws tha se ka pasur “përpjekje cinike” për të fshehur krimet e pretenduara.
“Janë dy të vërteta: UÇK mund të ketë luftuar një luftë çlirimtare dhe pjesa dërmuese e luftëtarëve të saj e ka bërë këtë. Por, është e vërtetë edhe tjera që anëtarë të UÇK të kenë kryer krime”, tha ai në përmbyllje të seancës.
Mbrojtja e Thaçit do të nisë nesër fjalën e saj përmbyllëse./ REL









