Sot ishte dita e dytë e shpalosjes së deklaratave përmbyllëse në rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.
Në ditën e dytë, Prokuroria e Specializuar përmbylli fjalën e saj, duke pretenduar se Hashim Thaçi i kishte gënjyer disa herë ndërkombëtarët dhe duke shtuar se deklaratat e mbrojtjes duhet të merren me rezerva sa i përket UÇK-së dhe rolin e ish-udhëheqësve të saj.
Pas Prokurorisë, fjalën përmbyllëse e kishte mbrojtësi i viktimave. Simon Laws citoi deklarata të dëshmitarëve lidhur me dëmin që pretendohet se kanë pësuar viktimat.
Ai tha se viktimat ishin keqtrajtuar dhe pasojat psikologjike disa prej tyre i vuajnë sot e kësaj dite. Sipas tij, anëtarë të UÇK-së kanë kryer krime, por kjo “nuk e bën atë organizatë kriminale”.
Ai tha se pret që në vendimin e trupit gjykues për këtë rast të dëgjohet zëri i viktimave pjesëmarrëse. Nesër në mëngjes, ekipi mbrojtës i Thaçit do të nisë fjalën përmbyllëse.









