Policia e Tiranës ka reaguar pas një konflikti të ndodhur më 9 shkurt në lagjen Laprakë, te pallatet malajziane, ku një punonjës policie, Nënkomisar Fabiol Hasaj, dyshohet se ka kanosur një qytetar, D.H., me armën e shërbimit. Ngjarja u zhvillua në prani të qytetarëve të tjerë.
Autoritetet sqarojnë se menjëherë pas incidentit, arma e shërbimit e Hasajt, një pistoletë tip “TT”, iu bllokua, ndërsa drejtoria e Standardeve Profesionale e ka pezulluar nga detyra dhe ka nisur një hetim disiplinor ndaj tij.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer veprime hetimore dhe ka referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale “Kanosja”, për veprime të mëtejshme.
Policia njofton se hetimet janë në vazhdim dhe se çdo veprim i mëtejshëm do të kryhet në përputhje me ligjin dhe procedurat disiplinore.









