Banorët e fshatit Luz kanë dalë përsëri në rrugë, duke ndaluar trafikun për të tërhequr vëmendjen ndaj gjendjes kritike të rrugës që lidh zonën e tyre me akset kryesore.
Ata paralajmërojnë se nuk do të ndalen derisa autoritetet të japin një përgjigje konkrete për rikonstruksionin.
“Sot nënshkruam një peticion të përgatitur nga avokatë dhe inxhinierë, që do t’i dërgohet ARRSH-së. Kërkojmë informacion të qartë mbi pronësinë e rrugës dhe afatet për riparimin e saj,” tha Aulon Kalaja, përfaqësues i Partisë Demokratike, i cili mbështeti protestën e banorëve.
Një banor i fshatit shpjegoi shqetësimin e tyre: “Rruga është shumë e amortizuar dhe përbën rrezik për të gjithë ata që kalojnë. Kemi bërë disa herë ankesë, por nuk ka pasur asnjë reagim nga Bashkia apo nga autoritetet qendrore. Nëse nuk ndërhyhet, do të bllokojmë sërish trafikun e kamionëve.”
Banorët thonë se protesta do të vazhdojë derisa të marrë një përgjigje të qartë dhe të zbatueshme nga autoritetet.









