Bardhyl Fusha, njeriu që tronditi Tiranës duke hyrë me një armë automatike në ambientet e një banke të nivelit të dytë, ka treguar policisë se ska pasur qëllim të dëmtojë askënd, por të marrë një sasi lekësh me të cilat do shlyente borxhet financiare.
“…isha ndërtues, por tani jam zhytur në borxhe financiare, ndaj u detyrova të bëj një veprim të tillë…”-ka deklaruar në ambientet e policisë së Tiranës, Bardhyl Fusha.
Ky i fundit u arrestua në tentativë për tu larguar nga banka e nivelit të dytë. Ndërsa aty u përball me punonjësit e Policisë, të cilët e detyruan të dorëzohet.
Sipas dëshmisë së dhënë në polici ndërtuesi nga Gramshi, ka pretenduar se në Tiranë ka hapur tre biznese me objekt ndërtimi si “DBF 2012”, një biznes si person Fizik me emrin “Bardhyl Fusha” të hapur në vitin 2004 dhe një biznes tjetër të hapur fillimisht si aksioner i vetëm “2D Construction” dhe më pas i ndryshuar në “VZ-Invest” të regjistruar në muajin Mars 2023 së bashku me shtetasin Vesjon Zela.
Në të tre këto biznese, Bardhyl Fusha, ka falimentuar për shkak të borxheve, ndaj ditën e sotme ka zgjedhur që përmes grabitjes së bankës, të shlyente detyrimet financiare që ka pasur me kreditorët.
Plani i grabitjes ka qenë totalisht amator dhe Bardhyl Fusha, nuk ka vendosur as një maskë në kokë për të fshehur identifikimin e tij./ Elton Qyno-Syri tv









