Prokurorët e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë kanë kërkuar dënime prej 45 vjetësh burgim për secilin nga ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, të akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”.
Kjo kërkesa e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara për dënimin en bloc me 45 vjet burg të ish-drejtuesve të UÇK-së krijon përshtypjen e një përpjekjeje për dënim kolektiv, më shumë sesa për përcaktim të përgjegjësisë individuale penale. Edhe pse Perëndimi shpesh di ta paketojë politikisht veprimin e vet në gjuhën e drejtësisë tranzicionale, kjo qasje shpërfaq një raport problematik ndaj përpjekjes shqiptare për liri dhe pavarësi. Në këtë kuptim, Dhomat e Specializuara po rrezikojnë të perceptohen jo si instrument i drejtësisë për Kosovën, por si zgjatim i një logjike juridike, që historikisht i ka shërbyer narrativës shtetërore serbe.
Kërkesa e Prokurorisë në Hagë për dënime prej 45 vjetësh burgim për secilin nga ish-drejtuesit e UÇK-së nuk mbështetet në asnjë praktikë të njohur ndërkombëtare të proporcionalitetit penal. Ajo e nxjerr procesin nga konteksti historik dhe politik i luftës në Kosovë dhe e zhvendos në një vakum artificial juridik, sikur të bëhej fjalë për kriminalitet të zakonshëm dhe jo për rezistencë ndaj një regjimi shtetëror represiv. Në këtë mënyrë, drejtësia rrezikon të shndërrohet në instrument ndëshkimi simbolik, duke e barazuar luftën çlirimtare me dhunën sistematike të agresorit.
Pikërisht për këtë arsye kam theksuar vazhdimisht se ambiciet e këtyre Dhomave do të mund të kufizoheshin ndjeshëm nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si instanca e fundit që mund të rikthejë proporcionalitetin juridik dhe kuptimin moral të drejtësisë. Ndryshe nga interpretimi i përhapur se mospranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës lidhej kryesisht me statutin e Asociacionit, arsyeja thelbësore duket të ketë qenë tjetër: Kosova nuk duhej të bëhej anëtare e këtij institucioni derisa të përfundonte i gjithë procesi në Dhomat e Specializuara. Me fjalë të tjera, integrimi evropian u kushtëzua me një proces gjyqësor që ende mbetet thellësisht i kontestuar.
Të kërkosh, gati tri dekada pas përfundimit të luftës, dënimin e njerëzve që iu kundërvunë regjimit të Millosheviqit, një regjim që NATO e bombardoi në mars 1999 për të parandaluar skenarin e Bosnjës dhe spastrimin etnik, ndërkohë që bashkëpunëtorët e atij regjimi vazhdojnë të jenë pjesë e elitës politike në Beograd, nuk përbën vetëm dënim të lirisë, por edhe një padrejtësi historike.
Një gjykim i tillë do t’u kishte pëlqyer edhe nazistëve gjermanë, po të kishin pasur mundësi që të riktheheshin në pushtet dhe të uleshin në Nuremberg jo bashkëpunëtorët e regjimit nazist, por pjesëtarët e koalicionit antifashist. Por, Evropa nuk do të ishte kjo që është dhe as Gjermania kjo që është. Andaj, Gjykata Speciale po provon që në këtë mënyrë jo vetëm të poshtërojë viktimën, por edhe të kënaqë ambiciet serboruse, të cilat nga ky moment fitojnë apetite më të mëdha kundër shtetësisë së Kosovës.
Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore pati krime nga të gjitha anët—bombardime shkatërruese, dëbime masive, përdhunime—por drejtësia ndërkombëtare e asaj kohe nuk ra në grackën e simetrizimit mes agresorit dhe viktimës. Përmes mikroskopizimit penal të veprimeve të UÇK-së dhe marginalizimit strukturor të dhunës shtetërore serbe, krijohet një simetri morale artificiale midis rezistencës çlirimtare dhe aparatit shtetëror represiv. Nëse kjo logjikë juridike do të aplikohej retroaktivisht në histori, atëherë do të duhej të përfytyronim skenarë absurdë: sipas të njëjtit arsyetim, në Gjykatën e Nürembergut, një çerek shekulli pas Luftës së Dytë Botërore, mund të ishin gjykuar jo arkitektët e Holokaustit, por ideatorët e rezistencës hebraike në Warsaw Ghetto, duke u mbështetur në dosjet dhe dëshmitarët e Gestapos.
Paralelisht, në Berlin do të mund të imagjinohej rikthimi politik i ish-ministrave të Hitlerit si figura legjitime shtetërore. Një Evropë e tillë do të ishte moralisht e paimagjinueshme. Megjithatë, pikërisht kjo logjikë po riprodhohet sot: prokurorë ndërkombëtarë pretendojnë se, përmes arkivave të shërbimeve të regjimit të Slobodan Miloševiæ, kuptohet më mirë realiteti i një popullsie të kërcënuar ekzistencialisht sesa përmes përvojës së drejtpërdrejtë të viktimave dhe dëshmitarëve kredibil ndërkombëtarë të angazhuar asokohe për Kosovën, si gjenerali i NATO-s, Wesly Clark apo zëvendësi i zonjës Albright, James Rubin. Kjo nuk është thjesht një devijim metodologjik, është një përmbysje morale e rendit të drejtësisë. Në këtë mënyrë, Dhomat e Specializuara po bëjnë pikërisht të kundërtën: po relativizojnë marrëdhënien midis dhunës shtetërore dhe rezistencës.
Në këtë drejtim, aktakuza e Prokurorisë operon përmes një abstraksioni juridik që e shkëput dhunën nga konteksti kolonial dhe represiv i shtetit serb, duke e paraqitur UÇK-në si aktor të barabartë konfliktual. Në të njëjtën linjë kritike, Anna Di Lellio ka vënë në dukje se seksioni “Deklaratë Faktesh” i aktakuzës përdor një gjuhë pasive dhe selektive që fshin përgjegjësinë shtetërore serbe për shfuqizimin me forcë të autonomisë së Kosovës në vitin 1989. Formulimi se “statusi i Kosovës u shfuqizua” e zhduk autorin konkret të aktit – Kuvendin e Serbisë – dhe e paraqet krizën si zhvillim të paidentifikuar strukturor. Po ashtu, përdorimi i shprehjes “pas kësaj” për të mbuluar periudhën 1989–1991 injoron protestat masive paqësore, grevën e minatorëve, gjendjen e jashtëzakonshme, burgosjet dhe spastrimin institucional të shqiptarëve nga administrata publike. Kjo teknikë diskursive nuk është neutrale: ajo zhvendos boshtin interpretativ nga represioni shtetëror drejt një narrative të paqartë të “tensioneve”, duke e relativizuar kontekstin politik që çoi në formimin e UÇKsë. Koncepti i Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale përdoret jo vetëm për të hetuar akte individuale, por për të kriminalizuar vetë arkitekturën organizative të rezistencës, duke e rishkruar UÇK-në nga subjekt politik çlirimtar në entitet proto-kriminal. Kjo zhvendos boshtin interpretativ nga agresioni shtetëror në një narrativë të rreme të konfliktit të brendshëm.
Barazimi i barbarisë me rezistencën, marrja e emancipimit për dobësi dhe e dhunës për forcë, është një formulë me pasoja potencialisht fatale, veçanërisht në shoqëri postkonflikti, ku drejtësia duhet të shërbejë si mjet pajtimi, jo si instrument për rishkrim të historisë.
Nëse në librin e Carla Del Pontes dhe në raportin e Dick Marty-t shqiptarët u paraqitën përmes stereotipave raciste—si vampirë apo trafikantë organesh—aktakuzat e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara sinjalizojnë një synim edhe më të rrezikshëm: kriminalizimin e luftës çlirimtare të Kosovës dhe paralelisht, rehabilitimin e Serbisë për krimet e saj gjatë viteve ‘90. Siç ka shkruar Rade Radovanoviq, ajo që ndodhi në Kosovë ishte “nazizëm serb që nuk quhet kështu”: dëbime, spastrim etnik, ekzekutime masive dhe përdhunime. Si është e mundur që ish-krerët e UÇK-së të ndiqen penalisht, ndërkohë që figura si Vojislav Šešelj—bashkëpunëtor i Millosheviqit—kërcënonin hapur se “nëse NATO na sulmon, do të vdesin shumë serbë, por nuk do të ketë më shqiptarë në Kosovë”? Apo që vetë Millosheviqi u fliste gjeneralëve të NATO-s për një “zgjidhje finale”? Dhe sot, pikërisht ata që iu kundërvunë një regjimi të tillë shpallen pjesë e një “ndërmarrjeje kriminale”.
Këtë disproporcion e kanë vënë në dukje edhe zëra kritikë nga vetë Perëndimi. Gazetari gjerman Michael Martens ka shkruar se nuk e di nëse Hashim Thaçi mban përgjegjësi për krime lufte, por se një dënim prej 45 vjetësh do ta vendoste atë në të njëjtin nivel me Ratko Mladiæ—arkitektin e gjenocidit të Srebrenicës—duke e quajtur këtë krahasim “një ide groteske”. Ky vlerësim nga një vëzhgues i jashtëm nënvizon absurditetin moral dhe ju ridik të barazimit mes një lëvizjeje çlirimtare dhe një makinerie shtetërore gjenocidale.
Kjo nuk është rishkrim i historisë, është amnisti për regjimin e Millosheviqit dhe tradhti ndaj viktimave.
Sigurisht, në kaosin e pasluftës kanë ndodhur edhe krime individuale. Por ato nuk ishin pjesë e një doktrine apo plani shtetëror antiserb. Krimet kundër njerëzimit nuk janë devijime sporadike: ato janë forma të dhunës së organizuar shtetërore—siç ishin projektet serbe nga Naçertania deri te plani “Patkoi”. Ndërkohë, qasja e Dhomave të Specializuara ndaj konceptit të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” bie ndesh me praktikën e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, i cili, në rastet që përfshinin pjesëtarë të UÇKsë, i ka trajtuar krimet si akte individuale dhe ka mohuar ekzistencën e një plani kriminal të përbashkët të atribuueshëm UÇK-së.
ICTY e ka interpretuar luftën e armatosur të shqiptarëve të Kosovës si rezistencë mbrojtëse ndaj politikave shtypëse të shtetit serb, në përputhje me parimet e Kartës së OKB-së. Siç paralajmëron ish-hetuesja e Hagës, Nevenka Tromp, pritshmëritë për një “fitore” në këto procese duhet parë me realizëm, pikërisht për shkak të këtij devijimi nga precedenti juridik. Koncepti i Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale përdoret jo vetëm për të hetuar akte individuale, por për të kriminalizuar vetë arkitekturën organizative të rezistencës, duke e rishkruar UÇK-në nga subjekt politik çlirimtar në entitet proto-kriminal. Nuk kontestohet nevoja për hetimin e krimeve individuale. Ajo që kontestohet është arkitektura juridike, që e zhvendos përgjegjësinë historike nga shteti agresor tek popullsia e çliruar. Kjo nuk është drejtësi tranzicionale, është rikonfigurim i historisë përmes gjuhës penale. Prandaj, kërkesa për dënime kumulative prej 180 vjetësh për ishkrerët e UÇK-së nuk është drejtësi, ajo përfaqëson një përpjekje për dënimin e lirisë dhe rehabilitimin e së kaluarës kriminale të Serbisë, përmes formave juridike synohet të prodhohet një deformim historik. Ambiciet e Beogradit nuk përmbushen me një dënim eventual të ish-krerëve të UÇK-së—përkundrazi, ato rrezikojnë të bëhen edhe më të shfrenuara, sepse një drejtësi e shkëputur nga konteksti historik shndërrohet lehtësisht në instrument për avancimin e projekteve hegjemoniste.
Në këtë kuptim, çështja nuk ka të bëjë vetëm me Hagën, por me vetë konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në një rend ndërkombëtar gjithnjë e më të paqëndrueshëm. Nëse konfirmohen pretendimet e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara, Kosova përballet me një sfidë shumë më të thellë sesa fati penal i disa individëve. Në lojë do të vihet vetë themeli politik dhe juridik i lirisë dhe pavarësisë së saj. Kushdo që mendon se ky proces përfundon këtu, gabon rëndë: pasojat do të shtrihen në planin politik, juridik dhe diplomatik, duke e sfiduar drejtpërdrejt konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Kjo ndodh pikërisht në një moment kur rendi ndërkombëtar që i mundësoi Kosovës lirinë dhe pavarësinë është në shpërbërje dhe po zëvendësohet nga një konfigurim i ri global, më i paqartë dhe më pak i favorshëm për shtetet e vogla.
- Autori, ish-ambasador i Kosovës në Shqipëri









