Në seancën e fundit të gjykatës, avokati i ish-ministrit të Rendit Publik, Fatmir Selimi, ka kundërshtuar akuzat e Prokurorisë, e cila pretendonte se Selimi kishte pasur kontroll mbi Policinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë periudhës së Luftës së Kosovës.
Avokati theksoi se Prokuroria nuk kishte arritur të vërtetonte me prova të besueshme këtë pretendim dhe se termi “Policia e UÇK-së” ishte një konstruktim i Prokurorisë për të hedhur akuza pa bazë, duke përdorur prova jogojore për të krijuar një përshtypje të gabuar.
“ZPS-ja nuk ka arritur t’i vërtetojë argumentet e veta. Termi ‘Policia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’ është një tezë e Prokurorisë, e hartuar si një kosh ku ata mund të hidhnin sa më shumë dëshmi përmes provave jogojore, për të dhënë përshtypjen se ekzistonte një lloj policie e drejtuar nga Selimi si ministër i Rendit Publik,” tha avokati, duke e quajtur këtë një përpjekje për të manipuluar opinionin publik. Ai shtoi gjithashtu se, pas qershorit 1999, UÇK dhe policia ushtarake e saj kishin qenë nën përgjegjësinë e komandantëve të zonave dhe jo të Fatmir Selimit.
“Pas qershorit, UÇK-ja dhe policia ushtarake e UÇK-së ka qenë nën përgjegjësinë e komandantëve të zonave, nuk ka qenë nën përgjegjësinë e zotit Selimi,” deklaroi avokati, duke shtuar se nuk kishte asnjë forcë të tillë policore të krijuar në prill të vitit 1999 dhe se nuk kishte prova që të vërtetojnë pretendimet e Prokurorisë.









