Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Nënkryetari i Komisionit për Punët e Brendshme dhe Mbrojtjen Kombëtare, Klevis Balliu, theksoi rëndësinë jetike të sigurisë kibernetike për stabilitetin dhe mbrojtjen e shteteve, duke ngritur shqetësimet për gjendjen e sigurisë digjitale në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Balliu kritikoi menaxhimin e dobët dhe investimet minimale në këtë sektor, duke e konsideruar atë si një rrezik serioz për sigurinë kombëtare.
“Siguria digjitale sot është një shtyllë themelore e sigurisë kombëtare dhe stabilitetit të shteteve. Fatkeqësisht, në Shqipëri kjo fushë kaq e ndjeshme vijon të menaxhohet nga individë të lidhur me struktura kriminale, duke minuar besimin, profesionalizmin dhe sigurinë e institucioneve tona. Buxheti për sigurinë kibernetike në vendin tonë mbetet qesharak, në një kohë kur e gjithë bota po investon miliarda për mbrojtjen e infrastrukturës digjitale. Siguria kibernetike nuk është luks, është domosdoshmëri për të ardhmen dhe sovranitetin e vendit tonë.”
/5pyetjet.al









