Jetojmë në një kohë ku sipas një shprehje shpesh të keqpërdorur të Antonio Gramshit ku rendi vjetër (botëror) po vdes dhe ai i ri ende nuk ka lindur. Periudha të tilla tranzitore mes një rendi (njëpolar, dypolar apo shumëpolar) dhe një tjetri që ravij zohet ka pasur shumë përgjatë historisë, por shpesh duhen dekada në mos shekuj për t’u ravijëzuar i riu me rregullat e lojës dhe sferat e influencës përkatëse.
Nëse perandoritë apo hegjemonitë kanë mbizotëruar për shumicën e kohës në 5 mijë vitet e fundit, edhe periudhat me rende dypolare si Spartë-Athinë, Romë-Kartagjenë apo SHBA-Bashkim Sovjetik përgjatë Luftës së Ftohtë nuk kanë qenë thjesht përjashtime nga rregulli. Më të rralla kanë qenë rendet shumëpolare me sfera të veçanta influence si bota pas Koncertit te Vjenës në 1815 deri me fillimin e Luftës së Parë Botërore në 1914-ën. Bota sot natyrisht është më e komplikuar pavarësisht se SHBA shfaqen si një primus inter partes në një botë përherë e më shumëpolare por me sfera influence të kontestuar.
Pikërisht në këtë periudhë të nxehtë, çështjet e sigurisë nga rivendosja e influencës amerikane te pakontestuar në Amerikën Latine duke filluar me arrestimin e Maduros në Venezuelë, deri te presioni i shtuar mbi Iranin mbi të cilin mbahet presioni i një sulmi ushtarak ndërsa nxitet të pranojë kufizimet mbi programin bërthamor që Irani disi e pranon, por edhe çështje të tjera si kufizimi i arsenalit raketor dhe pezullimi i ndihmës ndaj milicive pro-Iraniane në rajon që Teherani i kundërshton, marrin një konsideratë jo të vogël.
Ashtu sikundër fati i mbramë i konfliktit Rusi-Ukrainë, fuqia dhe vendosmëria e Bordit të Paqes të iniciuar nga Presidenti Tramp për një zgjidhje të gjithëpranuar për Gazën dhe shtetin palestinez, apo çështja e nxehtë e Groenlandës e cila shenjoi një temperaturë të lartë në marrëdhëniet transatlantike deir para pak javësh dhe ende nuk ka një verdikt përfundimtar.
Realizmi si një prej teorive kryesore të marrëdhënieve ndërkombëtare, e përcakton interesin kombëtar në terma të fuqisë që ka ai shtet. Fuqia natyrisht mund të kuptohet si absolute ose relative, ose si fuqi e “fortë” a bazuar në shkallën e militarizmit, aftësisë për të pasur armë bërthamore dhe nukleare, apo madhësisë së ushtrisë. Ose edhe aftësisë që ka përmes mekanizmave ekonomikë qofshin këto në formën e “kërbaçit” pra sanksioneve ekonomike apo “kulaçit” që mund të jenë investime apo politikat tregtare për t’i tërhequr vende të ndryshme në aleanca me ta ose kërcënuar vende armiqësore.
Por mund gjithashtu të konceptohet si fuqi “e butë” pra aftësia që ka një shtet për të bërë për vete përmes mënyrës së tij të sjelljes, gjuhës apo kulturës, artit, sporteve etj, shtete të tjera për t’i tërhequr në aleancë vlerash ose për t’u njohur ndërkombëtarisht nëpërmjet krijimit të një “brand”-i të caktuar. Gjë që mund ta bëjnë jo vetëm komb-shtete të mëdha dhe të fuqishme si SHBA-të dhe Federata Ruse por edhe kombe të vegjël si fjala bie Butani apo Singapori, i pari ndonëse i varfër i njohur ndërkombëtarisht për indeksin e tij të lumturisë dhe i dyti si një nga vendet më të pasura të globit ndonëse pa burime natyrore.
Kombinimi i fuqisë së fortë apo të ashpër me fuqinë e butë, sjell atë që Joseph Nye e quan fuqi e zgjuar, ku sot shtete si SHBA apo Kina mundohen të ushtrojnë ndikimin e tyre global përmes mekanizmave të integruar që variojnë nga investimet qindra miliardë dollarëshe çdo vit në ushtritë respektive, deri te influenca ekonomike dhe kulturore, apo shtrirja e ndikimit të markave të tyre tregtare në botë.
Ndërkohë koncepti i interesit të shtetit që njihet së paku në historinë e shteteve moderne qysh prej Risheljesë me konceptin e tij të “raison d’état” është një terminologji që tregon atë që lordi Palmerston dikur e ka përmbledhur në mënyrë sintetike kur thotë që interesat e shteteve nuk ndryshojnë, ndërsa aleatët dhe aleancat po. Në epokën ku jetojmë sot, interesat shtetërorë variojnë në varësi të fuqisë së shteteve por edhe gjeografisë, demografisë, ekonomisë etj.
Ndërsa për superfuqitë ambicja është të shkohet deri në hegjemoni, për shtetet mesatare (ang. middle powers) të krijojnë balanca fuqish me sferat e tyre përkatëse të interesit në rajone të caktuara, ndërsa për shtetet e vogla është mbijetesa. Nga ana tjetër, shtetet mund të kenë prioritare mbrojtjen e mjedisit apo efektet klimaterike ose mbrojtjen e popullsisë nga epidemitë apo pandemitë në varësi të gjeografisë ose vulnerabilitetit që ato kanë. Për shembull ndërsa ngrohja globale kërcënon ekzistencën fizike të një shteti të madh si Bangladeshi, sjell njëkohësisht përfitime jo të vogla ekonomike të paktën në periudhën afat-shkurtër dhe afat-mesme për Rusinë.
E rëndësishme është që shtetet në varësi të kapaciteteve materiale dhe jo-materiale që disponojnë të kenë një ide të qartë për pozicionimet e tyre gjeo-strategjike, të kenë politika të jashtme të formuluara më koherencë dhe të ketë konsistencë në ndjekjen e strategjive për arritjen e objektivave kombëtarë. Për shembull, Shqipëria është njëherazi pjesë e gadishullit ballkanik por edhe vend mesdhetar. Është pjesë e Ballkanit Perëndimor që përfshin vende kandidate për në Bashkimin Europian por edhe fqinjë me Italinë dhe Greqinë si vende jo vetëm antare të BE-së por edhe me influencë të konsiderueshme, sidomos Italia.
Është vend që ka një orientim të fortë pro-SHBA dhe pro-NATO por gjithashtu pro-BE, ku të gjitha sondazhet e kryera pavarësisht variacioneve të vogla në drejtim të përkrahjes së procesit të integrimit apo më saktë shpresës së kur do të ndodhë kjo, kanë një mbështetje të pakursyer dhe popullaritet të gjerë në shoqëri. Gjë që edhe politika e ka reflektuar me koherencë të paktën në verb në mos në sjellje.
Ndërkohë konferenca e 62-të e sigurisë e Mynihut fillon sot në datë 13 shkurt dhe zgjat dy ditë. Është konferenca më e rëndëishme e vitit për çështjet e sigurisë, ngjashëm me Davosin për çështjet ekonomike dhe financave. Nga kjo konferencë kanë dalë deklarata të ashpra si ajo e 2008-ës e presidentit rus Putin që kërkonte një revizionim të rendit botëror unipolar të udhëhequr nga SHBA dhe ndalim të ekspansionit të NATOs.
Vjet e kryesonte delegacionin amerikan JD Vance që pati një kritikë të hapur ndaj demokracive të vendeve të BE-së që u prit ftohtë nga qeveritë e vendeve evropiane ndërsa sivjet delegacioni amerikan kryesohet nga sekretari i shtetit Marco Rubio që gjithashtu ka paralajmëruar vendet evropiane që jetojmë në një epokë të re gjeopolitike që duhet të na shtyjë drejt ekzaminimit të brendshëm për rolin që secili nga partnerët ka apo pritet prej tij.
Kancelari gjerman Merz ndërkohë po lëviz në dy drejtime, ku njëherazi po përpiqet të krijojë një deterrent evropian në formën e një bashkëpunimi ushtarak më të ngushtë dhe nga ana tjetër të forcojë edhe më tej lidhjet transatlantike sepse kurrsesi mbutoja strategjike amerikane nuk mund të zëvendësohet. Ende nuk dihet me siguri produkti i këtij viti i konferencës së Mynihut por të shpresojmë një boshti transatlantik të forcohet, siguria evropiane dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor të rritet dhe dallimet reciproke të arrijnë të kapërcehen.









