Atalanta konfirmoi momentin e saj të shkëlqyer në kampionat duke siguruar një fitore të pastër 2-0 ndaj Lazios në stadiumin “Olimpico”, i cili ishte sërish i boshatisur për shkak të protestave të tifozëve bardhekaltër.
Lazio i shkoi shumë afër golit, por u ndal nga një shtyllë e goditur nga Taylor pas një devijimi vendimtar të Carnesecchi-t. Rezultati u zhbllokua në minutën e 41-të, kur Ederson u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, pas një prekjeje të topit me dorë nga Cataldi në zonë.
Pjesa e dytë nisi me pretendime për penallti nga ana e Lazios për një prekje të Zappacosta-s, por sistemi VAR e anuloi pas sinjalizimit për një pozicion jashtë loje të Tavares. Atalanta e gjeti golin e dytë në momentin më të mirë të kundërshtarit, falë një goditjeje fantastike nga distanca të ish-lojtarit të Romës, Nicola Zalewski.
Megjithatë, fundi i ndeshjes u shoqërua me probleme për Palladinon, pasi Giacomo Raspadori pësoi një dëmtim në kofshë dhe e la ekipin me dhjetë lojtarë, për shkak se zëvendësimet ishin ezauruar.
Pavarësisht presionit të fundit të Lazios dhe një shtylle të goditur nga Ratkov në minutën e 90-të, Atalanta rezistoi dhe mori tre pikët.
Me këtë sukses, “Dea” ngjitet në kuotën e 42 pikëve në vendin e gjashtë, duke parakaluar Comon, ndërsa Lazio mbetet në kuotën e 33 pikëve, gjithnjë e më larg./ Klantv









