Gjatë fjalimit në Konferencën e Sigurisë së Munihut, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se SHBA-ja dhe Evropa “janë bashkë”.
“Amerika po udhëheq rrugën për një shekull të ri të prosperitetit dhe ne duam që këtë ta bëjmë së bashku me ju, aleatët tanë të çmuar dhe miqtë tanë më të vjetër”, tha Rubio gjatë adresimit të tij kyç në këtë konferencë.
Duke vepruar së bashku me Evropën, tha ai, kjo “do të ndihmojë në rivendosjen e një politike të arsyeshme”.
Fjalimi i Rubios u ndjek nga afër pasi u mbajt në një kohë kur aleanca transatlantike po përjeton tensione dhe vjen pas fjalimit të vitit të kaluar të nënpresidentit amerikan, JD Vance, kur ai kritikoi ashpër udhëheqësit evropianë për rolin e tyre në atë që e përshkroi si erozion të demokracisë në kontinent.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve për një divorc të mundshëm transatlantik, sekretari Rubio tha se “ky nuk është as qëllimi ynë dhe as dëshira jonë”.
“Ne nuk kemi nevojë të zhbëjmë institucionet globale të rendit të vjetër që kemi ndërtuar së bashku. Por, ato duhet të reformohen”, tha Rubio. Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump, tha ai, synojnë ta udhëheqin “restaurimin” botëror.
Rubio po udhëheq delegacionin amerikan – më të madhin deri më tani që përbëhet nga më shumë se çereku i Senatit të SHBA-së – gjatë ngjarjes vjetore që zgjat tri ditë, dhe ku marrin pjesë qindra udhëheqës evropianë, ligjvënës, zyrtarë ushtarakë, akademikë dhe të tjerë. Në mesin e pjesëmarrësve është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u pa në audiencë gjatë fjalimit të Rubios.
Sekretari Rubio lavdëroi trashëgimin e pasur kulturore të Evropës, duke theksuar se “ne amerikanët… gjithmonë do të jemi një fëmijë i Evropës”.
Një raport i shkruar nga organizatorët dhe i publikuar para konferencës fliste për ardhjen e “politikës shkatërruese” dhe deklaronte: “Më i fuqishmi nga ata që përdorin sëpatën ndaj rregullave dhe institucioneve ekzistuese është presidenti amerikan Donald Trump”.
Konferenca në Munih mbahet në një kohë trazirash botërore, përfshirë mundësinë e sulmeve ajrore amerikane ndaj Iranit dhe luftën e Rusisë në Ukrainë, konflikt që nisi në shkurt të vitit 2022.









