Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Itali, ku 25-vjeçari Kevin Muharremi humbi jetën pas një konflikti me bashkatdhetarin e tij, Renato Xyke, i cili është 20 vjeç. Sipas hetimeve të para, gjithçka ka nisur me një mosmarrëveshje të thjeshtë për një dëmtim të vogël të makinës, por situata ka eskaluar në përdorimin e armës pas disa orësh.
Përplasja e dy të rinjve ka përfunduar me vrasjen e Kevin Muharremit, i cili është qëlluar disa herë kur ndodhej në sediljen e pasagjerit të një automjeti. I dyshuari, Renato Xyke, dyshohet të ketë përdorur një automjet “Range Rover” të ngjyrës gri për të kryer krimin. Pas ngjarjes, ai është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka udhëtuar drejt Romës me familjen e tij, duke lënë pas armën e përdorur në Montecalvoli.
Hetuesit italianë janë duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë, telefonat celularë dhe dëshmitë për të zbardhur më tej dinamikën e ngjarjes dhe për të kuptuar nëse ky takim ishte i rastësishëm apo i organizuar. Aktualisht, hetimet janë në fazën e avancuar për të përcaktuar të gjithë rrethanat e ngjarjes dhe rolin e personave të tjerë të përfshirë.









