Shqipëria është përfshirë nga moti i keq këtë të martë. Kapiteneria e Portit të Sarandës ka njoftuar se për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe detare ka ndaluar daljet në det të çdo mjeti lundrues për ditën e sotme.
“Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe detare, përfshirë erërat me intensitet të lartë dhe dallgëzimin përtej normave të lejuara për lundrim të sigurt, që arrinë deri në 6 Beaufor për ditën e sotme, e martë 17 shkurt, është ndaluar dhēnia e lejeve dhe çdo dalja në det e mjeteve lundruese, përfshirë mjetet turistike, peshkarexhat dhe skafet e vogla, në të gjithë gjirin dhe zonën bregdetare të Sarandës, Ksamilit dhe Borshit.
Njëherazi kjo situatë do të vijojë edhe për lëvizjen e tragetit të linjës Sarandë-Korfuz dhe anasjelltas, që nuk do të lëvizin deri në një njoftim te dytë” thuhet në njoftim.
Ndërkohë që reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë sjellë rritje të ndjeshme të prurjeve në Hidrocentrali i Fierzës, duke detyruar autoritetet të nisin shkarkimet me rreth 1000 metër kub ujë në sekondë.
Aktualisht, niveli i ujit në liqen ndodhet në kuotën 294 metër, vetëm 2 metër larg kapacitetit maksimal prej 296 metrash në basenin më të madh ujor të vendit.
Reshjet kanë shtuar prurjet deri në 500 metër kub në sekondë. Hidrocentrali më i madh në vend po operon me kapacitet maksimal në prodhimin e energjisë elektrike.
Ndërkohë, edhe në Kukës niveli i ujit ka arritur dukshëm pranë kufirit maksimal, duke rritur shqetësimet për menaxhimin e situatës në ditët në vijim.









