Në seancën solemne të mbajtur për nder të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se, ndërsa shteti, Pavarësia dhe Kushtetuta janë të reja, gjuha, kultura dhe populli i Kosovës janë të lashta dhe të thella në histori.
Ai gjithashtu ka nënvizuar kontributin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët aktualisht po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë, duke i cilësuar ata si figura të çmuara të historisë që nuk mund të harrohen.
“Vërtetë shteti, Pavarësia dhe Kushtetua janë të reja, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Shteti jonë është ndërtuar dhe qëndron për vlerat e lirisë e demokracisë, barazisë e drejtësisë, prosperitetit dhe përfshirjes. Secili qytetar pavarësisht gjuhës e etnisë, fesë apo prejardhjes është i barabartë para ligjit.
Nuk mund të mos kujtojmë se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e Pavarësisë së Republikës, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë.
Ky vit i pavarësisë na gjen në fillim të mandatit të ri qeverisës. Punët që na presin janë të shumta por i lartë është qëllimi që kemi para vetës. Mësues e student, mjekë e punëtorë, gra e burra, vajza e djem, të gjithë duhet të japim maksimumin tonë. Këtë e presin të gjithë. Le t’i bëjmë krenar duke punuar e forcuar shtetin. Ne si kabinet qeveritar jemi vetëm instrument në realizimin e këtyre qëllimeve”, ka thënë ai.









