Deputetja socialiste Marjana Koçeku ka uruar Kosovën për stabilitetin politik dhe formimin e qeverisë së re, duke shprehur optimizëm për zhvillimin dhe forcimin e shtetit pas një periudhe të tensionuar.
Ajo ka theksuar rëndësinë e realizimit të projektit të hekurudhës Shkodër-Gjakovë, duke e cilësuar këtë investim si jetik për zhvillimin e zonës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetin malësor.
Deputetja ka apeluar që ky projekt të trajtohet me prioritet nga kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti, pasi sipas saj, ai ka rëndësi strategjike për të dy vendet.
Postimi i plotë:
I uroj Kosovës tonë mbarësi dhe zhvillim me qeverinë e sapokrijuar, dhe i dëshiroj suksese kryeministrit Kurti dhe ministrave të tij. Tash, ndonëse Viti i Ri kaloi, po të kisha mundësi t’i shprehja edhe një dëshirë “babagjyshit”, do të ishte fillimi i punëve dhe realizimi sa më i shpejtë i hekurudhës Shkodër-Gjakovë. Ky projekt është jetik për vendet tona, dhe sidomos për komunitetin e Malësisë sonë. E di që kryeministrat kanë shumë punë, por vazhdimisht do të kërkoj prej tyre, Rama e Kurti, që ta kenë prioritet këtë investim me rëndësi strategjike kombëtare.
/5pyetjet.al









