Aksi i Qafë Thores, i bllokuar prej ortekëve që nga data 15 shkurt, është rikthyer në funksion.
Sipas njoftimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, pas punës intensive gjatë natës, rruga është bërë e kalueshme dhe tani po vijon qarkullimi pa probleme nga Thethi në drejtim të Bogës. Temperaturat e ulëta, deri në -10°C, kanë ndihmuar në stabilizimin e dëborës dhe në hapjen e rrugës.
“Në Qafë Thore është punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës.
Temperatura e ulët, që ka shkuar deri në -10°C, ka ndihmuar në stabilizimin e dëborës dhe vijimin e punës për hapjen e rrugës
Tani sapo u bë e mundur hapja e rrugës nga Thethi në drejtim të Bogës dhe ka filluar lëvizja e mjeteve.
Kontraktori i mirëmbajtjes me mjetet borëpastruese po bën kriposjen dhe zgjerimin e pjesës kaluese, me qëllim garantimin e qarkullimit sa më të sigurt.
Drejtuesit e mjeteve të qarkullojnë me kujdes dhe të jenë të pajisur me zinxhir kur udhëtojnë drejt këtij aksi”, thotë njoftimi.









