Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç ka deklaruar të enjten se gjatë takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiç i ka adresuar shqetësimet e Serbisë lidhur me bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Ai tha se bashkëpunimi mes të tri vendeve është i fokusuar në aspektin teknik dhe jo i drejtuar kundër Serbisë.
“Ne kemi hequr dilemat që kuptuam se ekzistonin në Serbi sa i përket bashkëpunimit mes ministrive të mbrojtjes të Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë. I shpjegova se ky bashkëpunim është i fokusuar në aspektin teknik ndërmjet institucioneve tona dhe nuk është në asnjë mënyrë i drejtuar kundër Serbisë. Nga ajo që pashë në deklaratën e tij, duket se kjo tashmë është pranuar”, ka thënë Plenkoviç.
Vitin e kaluar, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, e cila u tha se synon forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore, mbështetjen e rrugës euroatlantike dhe thellimin e bashkëpunimit mes tre vendeve mike.









