(Mbi një deklaratë skandaloze të klerikut katolik kosovar Shan Zefi në radion publike gjermane Deutschlandfunk)
Të mërkurën radioja publike gjermane Deutschlandfunk emitoi një reportazh gati 20 minuta të gjatë mbi tensionet fetare në Kosovë. Reportazhi shpalos një të keqe evidente: prej vitesh Kosova ka probleme gjithnjë e më të mëdha me radikalizmin islamist, ithtarët e të cilit të qenmit shqiptar e shohin vetëm si ngarkesë.
Por çfarë ishte e neveritshme, skandaloze dhe – në thelb – antishqiptare në reportazhin e mediumit publik gjerman, ishte edhe një deklaratë e klerikut katolik Shan Zefi, i cili në Facebook prezantohet si “Vikar Gjeneral i Dioqezës Prizren-Prishtinë”. Ai e tha troç në mikrofonin e radios gjermane: “Si mysliman nuk ke shpirt shqiptar”.
Mbi 2 milionë shqiptarë të Kosovës në Kosovë e diasporë, të cilët formalisht deklarohen si myslimanë, por shumica s’janë praktikues të rregullt, na qenkan, në fakt, krijesa pa shpirt shqiptar – këtë po e pretendon Shan Zefi? Vërtet beson ai në rrena të tilla? Edhe gazetarit gjerman kjo i duket paksa e çuditshme.
Kisha Katolike e Kosovës duhet ta dënojë këtë deklaratë helmuese të Shan Zefit.
Kisha Katolike duhet të distancohet menjëherë nga ky pretendim që nxit urrejtje ndërshqiptare, ndërvëllazërore dhe ndërmotërore.
Shan Zefi duhet të kërkojë falje për këtë fyerje të rëndë ndaj shqiptarëve që i përkasin fesë myslimane.
Dinjitarët fetarë nuk janë instanca për të vendosur se kush është shqiptar dhe kush jo. Shan Zefi jo se jo. Nuk ka kredenciale etike, morale dhe fetare për këtë, por as kompetencë.
Deklarata e Shan Zefit nuk dallon shumë nga poshtërsia gjuhësore e Shefqet Krasniqit, i cili dikur pati thënë se për Nënë Terezën nuk ka vend në parajsë. Thua ti që Shefqet K. i ka çelësat e parajsës.
Boll e kanë helmuar debatin publik imamë gojëndyrë që imitojnë talibanë! Tash na shfaqet edhe një klerik katolik si Shan Zefi, i cili përdorë gjuhën e njëjtë.
Muajve të fundit disa kolegë nga mediat e hapësirës gjermanishtfolëse më kanë treguar me tronditje se si disa priftërinj katolikë kosovarë, në bisedë e sipër, shprehen me tone raciste ndaj shqiptarëve myslimanë.
Kjo qasje është e rrezikshme dhe mungesë respekti ndaj qindra-mijëra shqiptarëve të Kosovës që janë rritur në një traditë myslimane, por s’çjanë kokën për asnjë fe kur bëhet fjalë për komb.
Dhe për interes të kombit e të bashkëjetesës ndërfetare kanë flakur pothuaj çdo gjë islamike (dhe islamiste po se po) dhe Republikën e Kosovës e shohin të plotë vetëm nëse pjesë e identitetit të saj janë të gjithë shqiptarët – përfshirë sidomos katolikët.
Për qindra-mijëra shqiptarë, Kosova nuk ka kuptim pa Anton Çettën, Shtjefën Gjeçovin dhe Kolë Ndrecë Mirditën, i cili u vra te Rrasa e Zogut në korrik të vitit 1998 kur si luftëtar lirie po sillte armë nga Shqipëria në Kosovë.
Këta tre emra qëndrojnë për dhjetëra-mijëra të tjerë që e bëjnë Kosovën kjo që është: një vend i pamposhtur, një feniks që ringjallet nga hiri i vet dhe shembull i bashkëjetesës. Kjo trashëgimi nuk duhet të njolloset. Nga askush. As nga Shan Zefi.









