Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas paraqitjes së një propozimi të ri ligjor nga shumica qeverisëse, i cili, sipas saj, mund të çojë në dhënien e porteve strategjike pa pasur një procedurë të hapur konkurruese.
Tabaku vlerëson këtë nismë si një rrezik për ekonominë e vendit dhe përpjekjet për të garantuar konkurrencë të drejtë dhe transparente në sektorët kyç të vendit.
“Kjo është një hap pas në krijimin e një ambienti të ndershëm për konkurrencën”, tha Tabaku, duke kritikuar projektligjin që e lidh me Ligjin për Investimet Strategjike. Sipas saj, ky ligj ka mundësuar deri tani dhënien e porteve, aeroporteve dhe zonave turistike pa procedura të hapura garash, duke favorizuar vetëm një grup investitorësh të privilegjuar. Tabaku theksoi se nisma e re shton një mekanizëm të ri privilegjesh, që do të lejonte që ata që kanë përfituar statusin e “investitorit strategjik” të merrnin portet, gjithashtu pa garë.
Deputetja e PD-së e ka quajtur këtë një përpjekje për thellimin e përqendrimit të pasurisë dhe pasigurisë për ekonominë, duke shtuar se “praktikisht nuk ka garë në Shqipëri, dhe kjo po e shkatërron mundësinë e zhvillimit ekonomik të vendit”. Ajo theksoi se ky projektligj është në kundërshtim me angazhimet që qeveria ka marrë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, duke premtuar transparencë dhe konkurrencë të ndershme.









